Zëdhënësi i VV-së: Do ta formojmë Qeverinë vet
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ditëve të fundit është duke u deklaruar me bindje të thellë se do të dalë e para në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.
Këtë e ka potencuar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Përparim Kryeziu.Kryeziu ka thënë se LVV-ja tashmë është subjekti politik më i madh në vend.Ai theksoi se këto zgjedhje do të zhvillohen në rrethana krejt të veçanta, të cilat siç tha ai janë të pashembullta në historinë e vendit që nga pavarësia.“Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë është subjekti më i madh në vend, jo vetëm sepse është e para në raport me subjektet tjera, siç ka qenë edhe në dy palë zgjedhjet e fundit, por sepse kësaj here është shumë më përpara se të gjitha subjektet tjera. Duhet ta kemi parasysh që këto zgjedhje do të zhvillohen në rrethana krejt të veçanta, të cilat janë të pashembullta në historinë tonë që nga pavarësia. Për herë të parë fituesi i zgjedhjeve është i pakontestueshëm. Ky është përcaktim i qytetarëve, i kërkesës aq sa edhe nevojës së tyre për ndryshim rrënjësor, i shprehur përmes LVV-së”, ka thënë ai .Siç u shpreh Kryeziu, koalicionet parazgjedhore dhe pas zgjedhore nuk do të jenë të diskutueshme për LVV-në. Zëdhënësi i LVV tha se LVV-ja do të dal edhe e para por edhe do të jetë në gjendje të formojë qeverinë duke qenë se do të jetë shumica parlamentare.“Nuk ka shpjegim tjetër fakti që Lëvizja gëzon mbështetjen e shumicës së qytetarëve. Prandaj edhe diskutimi publik për koalicione, sidomos në raport me Lëvizjen VETËVENDOSJE! duhet t’i përshtatet këtyre rrethanave të reja. Ato deri më sot janë bërë ose që të fitohet gara elektorale ose që pas zgjedhjeve të mund të formohet qeveria. Në këto zgjedhje, as njëra e as tjetra nuk do të jetë të diskutueshme. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të dal edhe e para por edhe do të jetë në gjendje të formojë qeverinë duke qenë se do të jetë shumicës parlamentare”.
Kryeziu gjithashtu tha se LVV-ja mund të bashkëpunojë me forca politike për të cilat ka preferenca të hapura siç është nisma e Vjosa Osmanit.
“Në këtë drejtim, Lëvizja mund të bashkëpunojë me forca politike për të cilat ka preferencë të hapur, sikurse me zonjën Osmani dhe nismën e saj, por një gjë e tillë më subjektet tjera as që zë vend në diskutimet tona të brendshme. Në fund të fundit, ky është edhe vullneti i qytetarëve. E ne gjithmonë i kemi qëndruar besnik atyre, dhe po punojmë që ta konfirmojmë vullnetin e tyre”, ka thënë ndër të tjera, zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.