Zemaj optimist për terapinë me plazmë: Ekspertët në punë intensive

0

Rreth një muaj më parë Ministria e Shëndetësisë formoi një grup punues, që ka për qëllim hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës konvalescente për pacientët me coronavirusin e ri.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ky grup është duke punuar intensivisht në mënyrë që sa më shpejtë të fillojë trajtimi i pacientëve sipas kësaj metode.

Në një intervistë për KosovaPress, Zemaj u shpreh optimist se protokolli për aplikimin e kësaj terapie do të miratohet shpejtë. Duke folur për vaksinën anti-COVID, ai këmbëngul se qytetarët do të gëzojnë këtë vaksinë, njëjtë sipas tij, që do të ketë edhe Remdesivir dhe vaksinën për grip sezonal.

Zemaj u shpreh se Grupi punues për hartimin e Protokollit për përdorimin e plazmës konvalescente te pacientët me COVID-19, me përbërje të ekspertëve të lëmive gjegjëse, është duke vizituar edhe vendet e rajonit dhe duke u konsultuar me profesionistë të vendeve të tjera për të ardhur deri te hartimi i këtij protokolli.

“Grupi punues ka raportuar që është në fazën e punës intensive, me seriozitet, ka pasur vizita edhe në rajon, me profesionistë të punës duke respektuar edhe udhërrëfyesin klinik, por edhe protokollin kombëtar për hartimin dhe adoptimin, qoftë edhe miratimin e përdorimit të plazmës e cila po shihet që dhe po besohet që mund të ndihmojë te pacientët të cilët trajtohen si COVID pozitiv. Sidomos ata që janë të hospitalizuar dhe kanë nevojë për këtë trajtim. Po shpresojmë që shumë shpejtë udhërrëfyesi do të miratohet, ta shohim në bazë të praktikave profesionale duke pasur për bazë parametrat dhe aspektin shkencor çfarë e ka Republika e Kosovës dhe Transfuzion i Gjakut dhe Klinika Infektive dhe po mendojmë që me këtë dinamikë, po shpresojmë, që është e nevojshme edhe miratimi i tij. Përdorimi do të varet nga klinicistët dhe profesionistët shëndetësorë”, deklaroi Zemaj.

Terapia e plazmës me antitrupa ndaj Sars COV-2 ka gjetur përdorim në vende të ndryshme të botës, ndërsa nuk cilësohet si procedurë e lehtë. Kjo terapi nuk mund të aplikohet te çdo person, por për këtë vendosin ekspertët mjekësorë.

Një tjetër trajtim për pacientët me COVID-19 është ai dhe me Remdesivir. Megjithëse OBSH së fundmi doli me qëndrim që nuk e rekomandon këtë lloj trajtimi, ka disa rekomandime të tjera të mbështetura në literaturë shkencore për këtë trajtim në vende si Japonia, Kina dhe India. Remdesiviri u bë ne vendin tonë medikamenti më i kërkuar dhe që blihet me çmim shumë të lartë.

Zemaj në intervistën për KosovaPress deklaroi se janë duke ecur me një dinamikë të shpejtë për të siguruar një sasi të Remdesivirit. Ai tha se Ministria e Shëndetësisë do të blejë një sasi të sajën ndërsa do të sigurojë edhe të njëjtën nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, Remdesiviri do të dhurohet falas për trajtim të pacientëve me sëmundjen e COVID-19.

“Ju e dini që këtu kemi ecur me një dinamikë të shpejtë, kam nënshkruar udhërrëfyesin klinik për lejim përdorimit të këtyre tri barnave të cilat tani më janë duke u përdorur. Agjencia ka reduktuar dhe ka shpejtuar proceduat e importit dhe lejimit të importit, jemi në fazën e prokurimit për një pjesë të caktuar e cila do të dhurohet falas për trajtim të pacientëve. Besoj që shumë shpejtë do të sigurohet edhe nga buxheti si blerje e Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse e dimë që është i kushtueshëm, e kemi edhe një proces tjetër përmes bashkësisë evropiane ku jemi pjesë e atij tenederimi të cilën e udhëheq Ministria e Financave dhe në këto dy rrugë jemi duke ecur me hapa të shpejtë në mënyrë që të jetë i siguruar Remidisivir që po përdoret si terapi”, deklaroi Zemaj.

Përkundër terapive, shtetet janë në garë për të siguruar vaksinën anti-COVID. Zemaj garanton se vendi ynë nuk është mbrapa me të tjerët. Ai tha se qytetarët do të kenë të sigurtë vaksinimin.

“Jemi në pjesë të të gjitha proceseve që është në angazhim edhe bashkësia evropiane dhe mbarë globi për sigurimin e kësaj vaksine. Hapat janë të sigurtë, për trajtimin e kësaj çështjeje dhe qytetarët do të kenë të sigurtë vaksinën anti-COVID kurdo që është në përdorim sipas shpërndarjes, dinamikës dhe hapave të cilët i përdorin dhe ata të cilët i japin në shfrytëzim”, vijoi Zemaj.

Por deri në sigurimin e vaksinës anti-COVID, një tjetër vaksinë po kërkohet më urgjent dhe ajo është e gripit sezonal.

Në lidhje me këtë çështje, Zemaj tha se 170 mijë vaksina tashmë janë siguruar, ndërsa janë duke punuar edhe për 50 mijë të tjera. Sipas tij, vetëm me këto shifra janë më mirë se viti i kaluar. “Realisht jemi në hapa dhe dinamikë edhe në procedurë. Besoj që në fund të këtij muaji do të jetë i shpërndarë dhe mund të merret nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Sasia e siguruar është më shumë së se 170 mijë të cilat janë të sigurua, është edhe një proces përmes të cilit synojmë t’i sigurojmë edhe 50 mijë. Të shohim nëse mund të ketë shtim të kësaj vlere por është dyfishi i dhënies nga viti i kaluar”, u shpreh Zemaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *