Zemaj thotë se do të ketë shtim të kontrolleve: Nuk do të lejojmë asnjë kapërcim të pragut të gjelbërt
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka mbajtur një konferencë për medie pas takimit me përfaqësuesit e Policisë, Asociacionit të Komunave të Kosovës, Inspektorateve qendrore e lokale, ku u diskutua rreth gjendjes epidemiologjike në vend.
Zemaj bëri të ditur se janë dakorduar me Policinë e Kosovës dhe kryeinspektorin dhe koordinatorin për inspektime lokale që të ketë më shumë kontrolle në kuadër të mbikëqyrjes së zbatueshmërisë së masave, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se kontrollet do të shtohen për të parë nëse ka nevojë që të ketë masa dhe kufizime shtesë të cilat parandalojnë përhapjen e virusit corona.
“Jemi në përgatitje e sipër për zbatueshmërinë e masave. U takuam me inspektoratin sanitar, me AKK-në dhe Policinë e Kosovës. Angazhimi do të jetë permanent, mirë i koordinuar dhe kemi plane të tjera. Do të ketë rritje të kontrolleve në shumë drejtime, jo vetëm në fokus të gastronomisë.”, tha ai.
Zemaj tha se po punohet që të identifikohet prej kah po vjen infeksioni, në mënyrë që të merren masa parandaluese.
Ai tha që nuk do të lejohet asnjë kapërcim i pragut të gjelbërt në të cilin thotë se është Kosova, as nga kufiri komunal e as brenda territorit të përgjithshëm të vendit.
Sipas Zemajt situata epidemiologjike në vend nuk është duke shkuar në favor tonin që nga data 15 tetor dhe në rast të rritjes së numrit të rasteve spitalore do merren masa strikte.
“Insistimi ynë është parandalimi, në momentin kur kemi rritje të rasteve spitalore ne duhet të ndërmarrim masa.”, tha ai.
“Pavarësisht që kemi një tavan të njëjtë të infeksionit, e jona është që ta ulim skajshmërisht dhe ta menaxhojmë këtë situatë më së miri sikur e kemi menaxhuar deri më tani. Kërkesa jonë do të jetë për përkrahje logjistike edhe për inspektorët dhe Policinë.”, tha Zemaj.
Ai njoftoi se tashmë janë në pritje të kontingjentit të ri të punësimeve në Polici, të cilët do të angazhohen në zbatueshmërinë e masave.
“Të shohim se a kemi nevojë për masa shtesë edhe për kufizimet. Situata nuk është duke shkuar në favorin tonë. Presim edhe kontingjentin e ri për 400 policë që do ta fillojnë punën.”, tha ai.
Zemaj sot ka takuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, drejtorin e Shëndetësisë në kryeqytet, Bujar Gashin dhe drejtorin e Inspeksionit, Adonis Tahiri.
Në takimin me krerët e Prishtinës, Zemaj tha se nuk do të tolerohet askush që nuk respekton masat anti-covid. /Reporteri.net