Zgjedhjet parlamentare – Disa parti politike ende nuk kanë vendosur për koalicione parazgjedhore
Derisa po afrohet data për caktimin e zgjedhjeve të parlamentare, disa parti politike në vend janë deklaruar se nuk kanë vija të kuqe për ndonjë parti tjetër politike për të hyrë në koalicion parazgjedhor, ndërsa disa të tjera janë shprehur të gatshme të garojnë pa koalicione paraprake.
Këshilltari i kryetarit të Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacollit, Naim Murseli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ende nuk kanë filluar negociata me partitë politike për koalicion parazgjedhorë.
Sipas tij, ata nuk kanë vija të kuqe me asnjë parti politike.
“AKR nuk ka filluar ende negociatat me asnjë parti politike për koalicion, por është e hapur për të biseduar me të gjithë. Nuk kemi vija të kuqe”, ka thënë Murseli.
Ndërsa, nënkryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi në një prononcim për media kishte thënë se AAK-ja do të garojë në zgjedhje e vetme dhe se janë të gatshëm të udhëheqin me Qeverinë e Kosovës.