Zhvillimet e djeshme në veri, mblidhet Këshilli i Sigurisë

              Sot në mëngjes është mbledhur Këshilli i Sigurisë së Kosovës, kjo pas zhvillimeve në veri, ku tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar dje nga forcat serbe.Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk e di se ku ndodhen policët e kidnapuar, por ka theksuar se janë nën arrest dhe po mbahen në duart e institucioneve të Serbisë.“Nuk e dimë ku janë, lokacionin ku po mbahen, janë nën arrest në duart e institucioneve të Serbisë. Reagimi ynë është i qartë. Nën një jemi duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare që ajo të jetë jashtëzakonisht e qartë për këtë hap kriminal të Serbisë, po ashtu që të shfrytëzojmë gjithë influencën që zyrtarët që kanë kryer detyrat e tyre, në shtetin e tyre, në territorin e tyre të kthehen sa më parë në Kosovë bashkë me pajisjet, me gjithë gjërat”, ka shtuar ai.Si rezultat i kësaj ngjarjeje, Qeveria njoftoi se institucionet kanë vendosur që të mos lejojnë hyrjen në Kosovë të automjeteve me targa të Serbisë e po ashtu është ndaluar hyrja e mallrave nga Serbia. /Reporteri.net/