Zhvillimet e fundit, reagon komuniteti shqiptaro-amerikan: T’u jepet fund përkëdheljeve të Serbisë 
Komuniteti i organizatave të shqiptarëve në Amerikë kanë reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, me tensionimet e vazhdueshme në veri për targat si dhe braktisja e “marrëveshjes së madhe”, nga BE’ja, të cilën kryeministri Kurti po e përmend.Në reagimin e tyre thonë se janë të shqetësuar lidhur me “provokimet që burojnë nga Beogradi”. Sipas tyre, këto provokime nxisin tensione, derisa Serbia dhe Vuçiq vazhdojnë të bashkëpunojnë ngusht me Rusinë, dhe prapëseprapë “diplomatët po vazhdojnë t’i tolerojnë e përkëdhelin”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.“Ne të nënshkruarit, përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, jemi thellësisht të shqetësuar me pengimin e qëllimshëm të progresit dhe provokimet që burojnë nga Beogradi. Këto taktika kanë për qëllim të nxisin tensionet dhe të minojnë përpjekjet e udhëhequra nga BE-ja e të mbështetura nga ShBA-ja për çdo marrëveshje realiste dhe të qëndrueshme të paqes dhe njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Serbia mbetet dorë e zgjatur e interesave ruse në rajon, me mbështetje publike në rritje në të dyja vendet, duke përforcuar aleancën në rritje midis regjimeve të Vuçiqit dhe Putinit. Përderisa Vuçiç dhe kolaboracionstët e tij po pasurohen përmes lidhjeve të tyre ogurzeza me Rusinë, duke u përkulur para krimit të organizuar dhe ndihmësve të Putinit në të gjithë rajonin, diplomatët po vazhdojnë t’i tolerojnë e përkëdhelin”, thuhet në deklaratë.