Zhvillimet në veri, Krasniqi: Kurti t’i njoftojë qytetarët për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndërmarrin 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në veri, për të cilat ka thënë se janë akt i paprecedent.Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur i shqetësuar me këto zhvillime, ndërsa ka shtuar se “në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje”.“Prandaj, kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, që t’ju drejtohet qytetarëve për t’i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndërmarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit”, ka shkruar i pari i PDK-së. Tutje, Krasniqi ka deklaruar se situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe se sipas tij, rreziku i përshkallëzimit është evident.“Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë”, ka përfunduar lideri opozitar.Ndryshe, Lista serbe pas një takimi të mbajtur këtë të shtunë në Zveçan, ka bërë të ditur se kanë vendosur që të largohen nga të gjitha institucionet politike në Kosovë. Ndërsa, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim.