1 Qershori – Dita Botërore e Fëmijëve-Shkruan;-Gjeneral Hisen BERISHA

Në këtë ditë simbolike që i kushtohet më të shenjtës periudhë të jetës – fëmijërisë – kujtojmë dhe angazhohemi jo vetëm për t’i uruar, por për t’i mbrojtur fëmijët: jetën, shëndetin dhe lumturinë e tyre.

Për mua, përkushtimi ndaj fëmijëve nuk është vetëm fjalë, por kauzë jete. Si luftëtar në luftën e UÇK për lirinë e Kosovës, në Betejën e Koshares kam marrë hak edhe për fëmiun e pafajshëm të Prekazit – për fëmiun numër 36 që iu mor jeta nga dora kriminale e forcave serbe. Kam luftuar me bindje të plotë se çdo plumb yni ishte betim për ta mbrojtur fëmijërinë e shkelur dhe për ta rikthyer buzëqeshjen e ndaluar nga zjarri i armikut.

Sot, edhe pse në kohë paqeje, lufta ime nuk ka përfunduar. Ajo vazhdon në çdo angazhim për të garantuar që askush të mos ua prekë të ardhmen, të mos ua vras lumturinë fëmijëve tanë – as me varfëri, as me padrejtësi, as me dhunë, as me propagandë.

Në këtë 1 Qershor, ndërsa fëmijët e Kosovës festojnë në paqe, lutem dhe angazhohem për fëmijët që në Lindje të Mesme, Ukrainë, e shumë vatra lufte, ku nuk po e jetojnë fëmijërinë. Është emblemë turpi për botën që fëmijët ende vriten, masakrohen e digjen e mbesin pa emër, pa atdhe dhe pa lule mbi varr.

Fëmija duhet të rritet me dashuri, jo me trauma. Me arsimim, jo me armë. Me lodra, jo me sirena.

Gëzuar 1 Qershori, engjëj njerëzor!

Ju jeni arsyeja pse kemi luftuar dhe arsyeja pse do të luftojmë çdo ditë për një jetë më të mirë për ju. GËZUAR!

QendraPress/