1432 fëmijë të vrarë, e mbijetuara rrëfen luftën: Në vend që të më shihnin si fëmijë, më trajtuan si armik

Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve organizohet Akademi shkencore dhe Ekspozitë Dokumentare me titull: “RIKUJTESË – ATA ISHIN LIRIA VET”, që u kushtohet për herë të parë 1432 fëmijëve – viktima të gjenocidit të Serbisë, raporton Ekonomia Online.
Profesori dhe veprimtari i çështjeve kombëtare, Nustret Pllana u shpreh se dhimbjen e thellë kombëtare për 1432 fëmijët e vrarë nga gjenocidi serb, duke nënvizuar se edhe pas 26 vitesh, mungesa e eshtrave të tyre dhe padrejtësia e pashlyer mbeten plagë të hapura për familjet shqiptare.
Ai e lidh sakrificën e tyre me lirinë që gëzon sot populli shqiptar, falë gjakut të derdhur dhe ndihmës ndërkombëtare.
“Sot më 1 qershor me rastin e ditës së fëmijëve na ka mbledhur në këtë sallë gjaku i derdhur lumë i 1432 fëmijëve tanë nga gjenocidi serb. Sot 26 vite më parë na mungojnë, çdo lexues kudo që të jetë kur ta ketë parasysh moshën e viktimave do ta përjetojë në një përmasë që nuk e përthekon as truri i njeriut në asnjë rrethanë. Kemi vuajtur aq shumë sa që edhe sot e kësaj dite na mungojnë që as eshtrat Serbia nuk ka kthyer tash e 26 vite. Përpjekjet për ta shuar popullin shqiptar, falë gjakut të derdhur në krye me komandantin Adem Jasharin dhe ndihmës së NATO-së sot e gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e popullit dardan. Plaga nuk është shëruar dhe nuk do të shërohet për faktin se asnjëherë nuk do të shërohen në jetën e atyre familjeve që iu janë masakruar fëmijët në syrin e tyre”, ka thënë Pllana.
Hanëmshahe Ilazi, si ish-mësuese dhe veprimtare, vë në pah se fëmijët u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.
Ajo e përshkruan dhimbjen e thellë që ka përjetuar për fatin tragjik të fëmijëve, duke përmendur 82 masakra mizore që sfidojnë çdo logjikë njerëzore. Për të, këto krime përbëjnë një plagë të pashërueshme për kombin.
“Vetëm pse ishin gjallë dhe shqiptarë i vranë 1432 fëmijë. Lufta si teorema më e ashpër është e dëmshme por kur ajo që prek fëmijët tanë është kasioni më shfarosës këtë e kemi përjetuar ne shqiptarët. Pasi isha punëtore e arsimit për 30 vite fati i fëmijëve më preokupante më së shumti. Brengosesha për çështjen e fëmijëve, janë bërë 82 masakra makabre që mendja e shëndoshë nuk mund ta mendojë janë vrarë janë djegur familje të tëra.
Reporteri i luftës, Ismet Sylejmani quajti projektin e Millosheviqit si më gjenocidalin ndaj shqiptarëve, që synonte zhdukjen e brezit të ri. “Nuk na shfarosën dot, sepse jemi pasardhës të Skënderbeut. Lirinë dhe pavarësinë e kemi paguar me gjak”, u shpreh Sylejmani.
“Jemi bërë bashkë këtu afër simbolit të pavarësisë në kryeqytetin e Kosovës për herë të parë pas përfundimit të luftës për të nderuar 1432 shqiptarë të vegjël që na kanë vrarë ekzekutuar. Kryekrimineli gjakpirës Millosheviq bëri projektin më gjenocidal ku kishin primar vrasjen dhe likuidimin e shqiptarëve. Shteti Serb dhe pasardhësit e tyre e kishin platformën të vrisnin fëmijët e vegjël shqiptarë që në djep duke i mbytur me qëllimin final ta lënë vendin tonë të shtrenjtë pa pasardhës. Shumë na ka vrarë Serbia pushtuese më shumë se 100 vjet, na kanë vrarë e masakruar por nuk arritën kurrë të na shfarosnin. Ne shqiptarët kemi të drejtën të mburremi sepse jemi ngritur dhe se e kemi dëshmuar që jemi pasardhës të Skënderbeut. Lirinë dhe pavarësinë e kemi larë shtrenjtë me gjak”, ka thënë ai.
Nëna e Feride Deliu rrëfeu momentin dramatik kur vajza e saj, Edisona, vetëm 14 muajshe, u plagos rëndë nga një granatë dore e hedhur nga ushtarët serbë. “Nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë kur sheh fëmijën e vet të lënduar,” tha ajo.
“Kur shpërtheu granata sytë mu errëzuan u hodha pranë vajzës time kur e pashë një plagë në kokë, nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë kur sheh fëmijën e tij të lënduar. Dhimbja për të nuk u shërua kurrë e kam mbajtur në krahë me gjithë trupin që më dridhej dhe duke lutur Zotin që të ma lë gjallë”, rrëfeu ajo.
E mbijetuara Edisona, tashmë e rritur, tregoi se plaga që mori nuk ishte vetëm fizike, por një ndryshim i përhershëm në jetën e saj. “Në vend që të më shihnin si fëmijë, më trajtuan si armik,” tha ajo.
“Jam e gjallë për të treguar këtë histori, në moshë fare të vogël më duhej të përballesha me vdekjen bëhesha cak i një granate dore në kokë, plaga që më la nuk është thjeshtë fizike ma ndryshoi jetën përfundimisht. Falë Zotit dhe mjekëve të UÇK sot gëzoj shëndet dhe jetë. Në spitalin që shpëtova një serb mjek më përplasi për muri kur isha gjallë dhe tha kush është ky terrorist i vogël. Ai më pa një armik në vend se të shihte si fëmijë. Jam këtu për të dëshmuar për çfarëdo errësire lind drita. Sot kujtojmë historinë dhe historinë e 1432 engjëjve që nuk arritën të shpëtojnë”, ka thënë Edisona.
Kjo ngjarje ishte një thirrje për kujtesë kolektive, drejtësi dhe nderim për jetët e fëmijëve që u prenë në mes./EO/