20 vjet edukim për të drejtat e fëmijëve në Kosovë: mbi 100 mijë nxënës përfituan nga projekti i mbështetur nga Sllovenia

Instituti për Promovimin e Arsimit (IPEDU), në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, kanë organizoi konferencë në 20-vjetorin e zbatimit të projektit “Të drejtat tona mbi edukimin për të drejtat e fëmijëve në Kosovë”, i cili u nis në vitin 2005 dhe që nga atëherë ka përfshirë më shumë se 110 mijë fëmijë në moshën 9-13 vjeç, raporton Ekonomia Online.

Ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejčič, përmendi bazën e fuqishme të këtij programi, duke theksuar se qëllimi i projektit për të drejtat, i bazuar në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, është të mundësojë që të rinjtë, veçanërisht fëmijët, përballë zhvillimit dhe kërkimit të identitetit, të mësojnë për të drejtat e njeriut, për të drejtat e tyre, për të drejtat e fëmijëve, si dhe për respektimin e të drejtave të të tjerëve.

Duke shprehur krenari për përfshirjen e hershme të Kosovës në këtë iniciativë ndërkombëtare, ajo tha se më shumë se 100,000 fëmijë në 660 shkolla në Kosovë, përfshirë edhe nga komunitetet jo-shumicë si boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkali dhe egjiptianë kanë përfituar nga projekti.

“Qëllimi i projektit tonë për të drejtat, i bazuar në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, është të mundësojë që të rinjtë, veçanërisht fëmijët, përballë zhvillimit dhe kërkimit të identitetit, të mësojnë për të drejtat e njeriut, për të drejtat e tyre, për të drejtat e fëmijëve, si dhe për respektimin e të drejtave të të tjerëve. Që nga viti 2005, Sllovenia, përmes projektit tonë për të drejtat dhe materialeve edukative, ka edukuar rreth gjysmë milioni fëmijë në 26 vende të Evropës, Azisë, Amerikës Latine, Afrikës dhe Lindjes së Mesme për të drejtat e fëmijëve. Jam veçanërisht e lumtur që Kosova ka qenë e përfshirë në projekt që nga fillimi. Më shumë se 100,000 fëmijë në 660 shkolla në Kosovë, përfshirë edhe nga komunitetet jo-shumicë si boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkali dhe egjiptianë. Këtë vit, programi përfshin fëmijë nga komunitetet jo-shumicë boshnjak dhe turk, të cilët i përshëndes posaçërisht, ashtu si edhe mësuesit dhe përfaqësuesit e komunave të tyre” tha ajo.

Merita Jonuzu kordinatore për të drejtat e njeriut nga MASHT, e përshkroi këtë përvjetor si një moment reflektimi mbi demokracinë në vend, duke deklaruar se respektimi i të drejtave të fëmijëve dhe të njeriut është treguesi më i mirë i nivelit të demokratizmit.

“Respektimi i të drejtave të fëmijëve dhe të njeriut është treguesi më i mirë i nivelit të demokratizimit. Çështjet e të drejtave të njeriut dhe të fëmijës kanë qenë pjesë integrale e politikave të institucioneve, dokumenteve, strategjive dhe legjislacionit. Sot jemi në 20-vjetorin e një projekti të madh që ka qenë vlerë e shtuar”, tha ajo.

Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë theksoi rëndësinë që ka vetëdijësimi i fëmijëve për të drejtat e tyre në një vend ku ata përbëjnë kapitalin më të rëndësishëm njerëzor.

Ajo ngriti shqetësimin për të dhënat alarmante që lidhen me gjendjen e fëmijëve në vend, ku sipas saj, një në katër fëmijë në Kosovë jeton në varfëri, vetëm një në tre fëmijë me aftësi të kufizuara është i regjistruar në arsim gjithëpërfshirës.

Ajo bëri thirrje për një qasje më të përfshirë ndaj arsimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

“Kushtetuta e Kosovës e përmend Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës. Kjo është një dëshmi e përkushtimit të Kosovës për të mbrojtur fëmijët dhe të drejtat e tyre.
Më lejoni të ndaj me ju disa shifra për situatën e fëmijëve në Kosovë. Një në katër fëmijë në Kosovë jeton në varfëri, me qasje të kufizuar në shërbime sociale. Vetëm një në tre fëmijë me aftësi të kufizuara është i regjistruar në arsim gjithëpërfshirës. Shumë fëmijë, veçanërisht nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian, si dhe nga komunitete të tjera të cenueshme, ende përballen me diskriminim dhe shpesh braktisin shkollën. Shëndeti mendor te adoleshentët është një shqetësim në rritje. Ne si UNICEF, bashkë me partnerët tanë, po bëjmë thirrje për rritjen e qasjes në arsimin e hershëm, pasi ajo mbetet e kufizuar, veçanërisht në zonat rurale”, tha ajo.

Arbesa Ismajli, mësimdhënëse dhe psikologe në shkollë “Mehmet Gjevori”, theksoj rëndësinë jetike të respektimit të të drejtave të fëmijëve në mjedisin arsimor.

“Në cilësinë e mësimdhënëses dhe psikologes së shkollës, unë përjetoj çdo ditë se sa e rëndësishme dhe thelbësore është që fëmijët të ndjekin mësimin dhe të rriten në një mjedis që jo vetëm i njeh të drejtat e tyre, por edhe i respekton dhe i fuqizon ata përmes mbrojtjes së këtyre të drejtave”, tha ajo.

Projekti “Të Drejtat Tona” është zbatuar në Kosovë që nga viti shkollor 2005/2006 dhe vazhdon edhe sot, duke i targetuar fëmijët e moshës 9-13 vjeç. Qëllimi i projektit është të edukojë fëmijët për të drejtat e tyre përmes albumeve për nxënës, të cilat përfshijnë ilustrime të 13 të drejtave themelore të përzgjedhura të fëmijëve, si dhe përmes udhëzuesve të veçantë të dizajnuar për mësimdhënësit.

Zbatimi i projektit në Kosovë është zhvilluar paralelisht me atë në Slloveni dhe në 25 vende të tjera të botës, ndër të cilat përfshihen edhe fëmijë nga Gaza dhe fëmijë romë në disa shtete.

Gjatë këtyre 20 viteve, projekti është zbatuar në rreth 700 shkolla në Kosovë, duke përfshirë mbi 110,000 fëmijë të moshës 9-13 vjeç, rreth 1,700 mësimdhënës dhe 130 trajnerë që janë trajnuar dhe pajisur me materialet e projektit.