“Ia ka shtuar edhe 2 vjet procesit”, avokati komenton plotësimin e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK’së
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj, ka komentuar plotësimin e aktakuzës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Sipas tij, me këto pika të reja të aktakuzës procesi i gjykimit mund të shtyhet edhe për dy vite, shkruan Reporteri.net.“Ata tani i kanë të gjitha të drejtat siç i kanë pasur nga fillimi. Tani ata kanë të drejtë që të kundërshtojnë këto pika të aktakuzës, të kërkojnë sqarime shtesë, të bëjnë kërkesa të ndryshme dhe kjo mendoj që i ka shtu edhe dy vjet që kanë me i marrë procedurat. Prapë prej fillimit avokatët mbrojtës kanë me u merr me kundërshtimin e këtyre akuzave siç i kanë bërë më herët”, deklaroi Hoda në Frontal të T7.Ai shtoi se pikat e reja të aktakuzës nuk janë një aktakuzë e te, por vetëm plotësim-ndryshime tek aktakuza e vjetër.“Ky është një plotësim-ndryshim i aktakuzës. Është ndryshuar aktakuza në kuptim të plotësimit. Domethënë janë shtuar disa pika të reja të aktakuzës në aktakuzën e njëjtë që e kanë pasur më herët”, ka thënë ai.
E këto plotësim-ndryshime thotë se lejohen.
“Rregullat pranë Gjykatës Speciale janë ‘sui generis’ pra plotësisht të veçanta dhe me këtë kuptim ato i lejojnë prokurorisë që të ndryshojë aktakuzën, të plotësojë aktakuzën në çdo fazë sikur para konfirmimit të aktakuzës ashtu edhe pas konfirmimit të aktakuzës. I lejohet prokurorisë që të ndryshojë aktakuzën edhe në rastin kur rasti është në rigjykimin në panelin para tre gjyqtarëve”, ka thënë ai.Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar të premtën e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të prentenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Aktakuza e re është më pak konfidenciale dhe ka më pak pjesë të redaktuara.Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.Prokuroria rendit akuza për krime që pretendohet të jenë kryer në disa shtëpi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.