Pas LDK’së, edhe AAK’ja zotohet në përkrahje të mësimdhënësve për paga

                                             Vendimin e Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë, nuk e kanë pritur mirë as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.Në një reagim për media, nga AAK, këtë veprim të Qeverisë Kurti e kanë quajtur skandaloz, dhe që shkel ligjet e vendit, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.“Vendimi i qeverisë për të penalizuar mësimdhënësit grevistë është të paktën skandaloz. Duke shkelur të gjitha ligjet në fuqi, qeveria e mashtrimit, gënjeshtrës, injorancës dhe arrogancës, përpos sjelljeve të panatyrshme për një qeveri gjatë grevës, ajo ka vazhduar me ndëshkimin e atyre që nuk mendojnë si ajo”, thuhet në reagimin e tyre. Në pikëpamjen e AAK’së, Qeveria po kërkon armiq të brendshëm te sindikatat, opozita, e administrata publike.“Qeveria e cila nuk ka realizuar as 5% të planit të punës e as 3% të investimeve kapitale, po kërkon armiq të brendshëm, te sindikata e opozita, te mësimdhënësit, personeli shëndetësor, administrata publike, Policia e zjarrfikësit. Por populli i Kosovës nuk është i verbër. Ai e sheh dhe e vuan në kurriz degradimin ekonomik, krizën energjetike dhe ngritjen enorme të çmimeve. Ata e shohin në veprim qeverinë që punësoi familjarët, kapi bordet, e që korrupsionit i dha model e formë të re.“ Krejt në fund, AAK është zotuar që nuk do ndalen së kundërshtuari këtë vendim, që prek drejtpërsëdrejti mësimdhënësit grevistë.“Mësimdhënësit grevistë, e kanë përkrahjen tonë dhe zotimin tonë që nuk do të ndalemi së kundërshtuari këtë vendim jonjerëzor, e nëse në këtë mandat nuk do të kemi mundësi e numra që të ndryshojmë diçka për të mirën e tyre, atëherë qeverisja e ardhshme e Aleancës, do të kompensojë secilin, ashtu siç kemi kompensuar gjatë mandatit tonë edhe mësuesit e viteve’90të.” Zotim për përkrahje, grevistët morën edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, është zotuar sot se pagat e muajit shtator për mësimdhënësit, herët a vonë do t’i marrin.“Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së. Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat”, shkroi Abdixhiku në Facebook.Kreu i LDK-së, po ashtu tha se Kryeministri Kurti “nuk mund të jetojë pa krizë, prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit”.“Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël”, ka shkruar Abdixhiku. Tutje, ai konsideron se kryeministri i vendit sot tregoi dhëmbët, me shtresën më të goditur nga kriza, me mësimdhënësit.