Implementimi i dështimit mbi dështim, sjell dështim ose tradhti!-Shkruan; Hisen BERISHA, Deputet.
Përfaqësia diplomatike perëndimore ka paralajmëruar një kurs të ri veprimi në raport me dialogun dhe palët e obliguara. Bashkimi Evropian (BE) si diplomaci ndërmjetësuese ka dështuar në këtë proces nga viti 2020! Finalja e bisedimeve Kosovë – Serbi, rezultoi me vrasjen e oficerit të policisë dhe askush i arrestuar apo në burg. Po ashtu edhe zyra e presidentit Biden nuk kanë qenë konsistent në implementimin e marrëveshjes së Uashingtonit, përkundër faktit se presidenti Biden ka deklaruar se do implementohet. Druaj se edhe në këto përsiatje të radhës, vetëm sa do ta konfirmojnë dështimin ekipor. Rezoluta që u miratua në Parlamentin Evropian (BE) prejudikon edhe çfarëdo hetimi ndërkombëtar të këtij rasti, ngase veç është cilësuar si grup terrorist dhe akt terrorist. Këtë e kanë bërë në ditën D edhe vet skenaristët e këtij agresioni ushtarak nga Serbia në territorin e Kosovës, me theks kryeministri i vendit. Por, ajo që është më shqetësuese në vlerësimin tim është pse KFOR-i, përkatësisht PUN-i në Kosovë nuk ka reaguar ndaj shkeljes së rezolutës së KS/OKB, që i mandaton si garantues të ambientit të sigurt dhe moscenueshmerinë e kufirit, si dhe përjashton prezencën e çfarëdo trupe të armatosur të uniformuar jashtë kushtetuese në Kosovë. Po t’i referohemi vatrave të krizave nëpër botë, si në Ballkan e Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në pjesën subsahariane në Afrikë, që shumë lehtë mund të qojnë në një luftë globale, atëherë fakti se Serbia është në raporte politike, ekonomike dhe historike me Kinën, me theks me Rusinë, e bën edhe të pacenueshme e të pa penalizueshme nga BE-ja, NATO-ja apo ShBA. Ketë e tregoi edhe fakti se në samitin e Tiranës u përfaqësuan nga kryeministrja Bërnabiq, kurse me vizitën e Vuçiqit në Kinë e takimet me Putinin e presidentin kinez, përçoi mesazhin se është iluzive nga bota perëndimore të besojnë se me demokratizim të Serbisë dhe lidhje e rreshtim me perëndimin do ta shkëputin lidhjen shumëdimensionale tradicionale me Rusinë dhe Kinën. Po ashtu, vlerësoj se përkundër shkeljes që bëri Serbia me agresionin në Kosovë, jo vetëm më 24 shtator, por edhe më herët me depërtimin e ushtrisë serbe në territor dhe zënien rob të policisë kufitare, nuk guxojnë ta sulmojnë as ndëshkojnë, as ushtarakisht, as me masa e sanksione ekonomike, qoftë nga BE-ja, NATO-ja apo ShBA-ja. Penalizmi i individëve nuk nënkupton disiplinim të shtetit. Prandaj, Serbia po mban qëndrim destruktiv si shtet dhe po e diskriminon Kosovën deri në ketë nivel. Sipas informatave, gjermanët e kanë përgatitur draftin që ta shesin më lehtë të Albini, i cili mendon me naivitet se ata dallojnë nga amerikanët dhe miqtë tjerë të Kosovës. Ajo çfarë pritet të bëj Kurti të enjten është se do të dalë para qytetarëve dhe do të thotë se drafti i statutit i tashëm dallon nga draftet tjera. Sigurisht se dallon, ngase Asociacioni sipas marrëveshjes 2013 / 2015, kompetencat i delegohen nga qeveria qendrore, kurse Asociacioni si vetëmenaxhim i Kurtit, i krijon kompetencat vet dhe ia miraton Asambleja e Asociacionit, pra pavarësisht nga qendra. Kjo do të thotë se është autonom në proces, shto kësaj faktin se është i hapur për inkuadrim të njësive tjera territoriale administrative dhe statusit të avancuar që ia jep pika 7, lokacioneve dhe objekteve religjioze, siç e parashikon plani franko-gjerman, si dhe regjionalizimi i Kosovës që sanksionohet me aneksin e Ohrit. Kurse situata tensionuar në veri është rezultat i kursit të gabuar politik, i cili që nga shtatori 2021, po bën “palestinizim” të veriut dhe të Kosovës. Fatkeqësisht, asociacioni me ketë statut të vetëmenaxhimit është autonomi territoriale e politike dhe që në zbatim do ta defunksionalizoj shtetin e Kosovës, por edhe cenon rëndë integritetit territorial dhe sovranitetin politik. Zgjidhja është bërja e Asociacionit sipas marrëveshjes 2013 e ratifikuar me Ligjin 049 L-199 për marrëveshjen e normalizimit të raporteve me Serbinë dhe rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, për të cilat z. Kurti ka hendikep t’i zbatojë, ngase i ka refuzuar dhe i ka humbur vendit e popullit pothuaj 10 vjet mundësi zhvillimi, duke e falimentuar në aspektin ekonomik, social, zhvillimor, politik dhe të sigurisë. Edhe po t’i zbatojë detyrimet nga pika 10 e planit franko-gjerman, me pikën 7 e ka bërë tashmë dëmin ndaj funksionalizimit institucional të shteti. Kurse po ta implementojë versionin ligjor e kushtetues të Asociacionit nga viti 2013/15, e di se bën vetëvrasje politike. Prandaj, sado që të provojë të blej kohë, kjo skadon deri ditën e enjte, kur duhet të dy palët të japin qëndrimet e tyre lidhur me pakon e grupit ndërkombëtar të negociatorëve të dështuar, në krye me Lajçakun. Në ketë rrethanë “merr o bëje pa opsionin lëre” nuk mund të pritet se ky do të bëjë refuzimin përfundimtar për ta bërë Asociacionin. Nuk është ky patriot siç është imponuar me retoriken e tij mashtruese dhe kauzat e rrejshme me të cilat ka ardhur në pushtet. Të gjitha kauzat e tij kanë qenë strategji e studiuar e analizuar mirë nga kabinetarët e sponsorizuesit e tij politik e financiar! Ky për pushtet ashtu siç ka sakrifikuar deri me tani pesë aktivist të vrarë, është i gatshëm të sakrifikoi edhe anëtarët e familjes së vet gjenetike dhe politike për ta ruajtur pushtetin e vet. Për ketë do të bindeni çdo ditë e më shumë, e ata që kanë dashur ta lexojnë kanë mundur ta bëjnë tashmë. Nuk mund të krahasohet karrierizmi i tij politik me asnjë që ka drejtuar me këto procese para tij. Ky do i tejkaloj gjithsecilin me brutalitetin për të mbajtur pushtetin. Me planin e detyrave që ka sjell pesëshja diplomatike, po njihet autonomia plus e serbeve në veri, si version i shkruar nga gjermanët, që e cenon karakterin unitar të shtetit. Ajo çfarë ky është duke pretenduar me analizimin më të mirë të Asociacionit është se do që të blejë kohë deri sa të kryhen zgjedhjet në ShBA, ku i frikohet ndryshimit ideologjik për çfarë edhe u deklarua se ka nevojë që procesi të përmbyllet para marsit 2024. Por, po fituan republikanët konservator atje, atëherë do ta qojë vendin në zgjedhje të parakohshme me ndonjë diskurs patriotik, të tipit patetik dhe mashtrues si të znj. Haxhiu, që deklaroi se “besoj që Kurti nuk e pranon dhe mbron sovranitetin e vendit! Kurrë Zajednica nuk pranohet nga ai. Besoj se e lenë pushtetin dhe nuk bën një tradhti të tillë”. Një deklaratë parapërgatitore në rast të “refuzimit patriotik” të detyrimeve që ka marrë me marrëveshjet që ka bërë me Serbinë në Bruksel, Ohër e Bratislavë, bashkë me statutin që ka pranuar nga grupi shkrues i kryesuar nga znj. Vujçiq për statutin. Prandaj bërja ose jo e Asociacionit në cilindo version e ka vënë në dilemën popullore: “hip se të vrara, zbrit se të vrava”. Tani më e kanë kuptuar se plani franko – gjerman nuk lidhet përmbajtësisht me marrëveshjet 2013 dhe 2015. Në sinkron me të po vepron edhe Vuçiqi, duke nxjerrë kohë në emër të siç deklaroi “shqyrtimit të obligimeve nga plani që kanë ofruar diplomatët”. Ndërsa i liroi nga paraburgimi kriminelët që organizuan sulmin ushtarak në veri dhe po i mban në gjendje gatishmërie për rieskalim në rast nevoje për status-quo shtesë. Kurse nga përfaqësuesit ndërkombëtarë me theks evropian, nga Lajçaku po insistohet të minimizohet rasti i sulmit terrorist, duke pretenduar një hetim ndërkombëtar, i cili pas miratimit të rezolutës nga PE-ja, e sugjestionon edhe epilogun e hetimit. Po ashtu e sugjeron kthimin në bisedime me një pako detyrash për palët, ku përveç pranimit të Asociacionit nuk do ketë diçka të rëndësishme. Përfaqësuesi special i zyrës së presidentit të ShBA, z. Gabriel Escobar do të kërkojë nga Vuçiqi, arrestimin dhe sjelljen para drejtësisë të Radojçiqit dhe thellimin e bashkëpunimit ShBA – Serbi për ta largu nga Kina dhe Rusia. Kjo pako “interesante” për dy shtetet që po negociojmë, imponon detyrat në proces si, shkarkimi i kryetarëve aktual në komunat e veriut, zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri si dhe që “Lista Serbe” të mos quhet grup kriminal dhe KQZ-ja, ta certifikojë për zgjedhje. Të gjitha këto detyrime po të analizohen në implementim do të jenë në dëm të Kosovës. Sido qoftë, Kurti do të detyrohet të veprojë dhe cilin do nga opsionet që ia lënë në dispozicion ndërmjetësit, janë potencialisht të dëmshme për Kosovën nëse shmanget germa e Kushtetutës. Pasojat tjera janë acarimi i raporteve me partnerët ndërkombëtarë ku duhen pasur në fokus raportet dhe garantimin nga ShBA-ja. Rrezik potencial është edhe rieskalimi i situatës në veri. Kriminelët serbë, Radojçiqi e Veslinoviqi, sipas zërave informal publik, po vazhdojnë me përgatitjet në Serbi, njëri për infiltrimin ushtarak në veriut dhe krijimin e parakushteve për kthimin ushtarak e politik në Kosovë dhe tjetri për nxitjen e dhunës në Mal të Zi. Përgjegjësia për zhvillimet në Mal të Zi, bie mbi kryeministrin në detyrë, Dritan Abazoviq për pasivitet ndaj grupeve terroriste. Kështu që, Abazoviqi, Edi Rama dhe presidenti Kroacisë duhet ta izolojnë Serbinë nga bashkëpunimi apo të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare t’i shpallin “non grada” Aleksandër Vuçiqin dhe Ana Bërnabiqin, deri sa t’i arrestojnë dhe t’i sjellin para drejtësisë në Kosovë të apostrofuarit për organizimin e sulmit në Kosovë. Kurse dobësimi i institucioneve të vendit duke pretenduar të prekin Kushtetutën gjegjësisht ndryshimin e saj, nëse nuk i përmbushim obligimet kontraktuale ndërkombëtare, krijon favor për Serbinë të përfitojë nga status quo-ja për të cilën na është sugjeruar nga partnerët amerikanë se është në dëm të Kosovës. “Suma sumarum” nuk mund të pranohet marrëveshje në bazë të planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit sepse shkelët Kushtetuta dhe cenohet sovraniteti i vendit. Përndryshe, me ketë kurs politik, Albin Kurti rrëshqet pikërisht aty ku e kam paralajmëruar, në tradhti!