Çaste poetike me poetin;Imer HYSA

STINET E JETES

——————————–

Mosha rend si kalë i harbuar

Në lëndinat e stinëve njerëzore,

E ndjej, stinën e ftohtë kam filluar,

Retë pamëshirshme hedhin flokë bore.

E ndiej erozionin e stinës së beftë

Tek gërryen gjithçka që gjen zbuluar,

Sinjale alarmi ajo derdh si rrufetë

Herë në organe, herë në këmbë e duar.

Kot pret me padurim moj stinë e ftohtë

Mendon se do dorëzohem kaq lehtë,

Hidh sa të duash dëborë mbi flokë

Dhe rrudhat brazda mi bëj po munde.

Se dhe në stinët e tjera të jetës

Kam kaluar dimra të vështirë,

Por me zjarrin e dashurisë njerëzore

Akullnajat tuaja kam mundur me shkrirë.

Aspak s’të kam frikë o dimër i jetës

Me të gjithë gurët që lëviz, s’më mund,

S’jam nga ata që thjeshtë kurajë i jap vetes;

Denjësisht të pres qëndrestar gjer në fund

/www.QendraPress.com/