Arrestohen gjashtë persona për krim të organizuar dhe narkotikë në Prizren

Janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për krim të organizuar dhe posedim të substancave narkotike, në aksionin e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.

Aksioni ka ndodhur me kontrolla në disa lokacione në rajon të Prizrenit, teksa përfshin një hetim disa mujor paraprak.

“Gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjashtë persona mbi bazën e dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’, nga neni 277 par. 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale ‘Blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 275 par. 1 nën par. 1.9 të KPRK-së”, ka njoftuar prokuroria nëpërmjet një komunikate.

Personat e arrestuar janë SH.K., A.K., G.H., N. J., K.M. dhe A. M. dhe për të njëjtit Prokuroria Speciale ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me tutje me masat tjera procedurale.