Çaste poetike me poeten:Mervete DRAGAJ
TRANDAFILI I BARDHË
————————————
Në ballkonin tim çelin trëndafilat
Më i bukuri është trëndafili i bardhë
E hap dritaren, e ujis ngadalë
E shikoj në sytë e tij
Që zemrën time nuk e lënë rehat.
Kur je i bardhë si bora
Je si zogu në përrallë
Kur të prek, më dridhet zemra…
A thua kaq të ndiej vallë?!
Aroma jote shpirtin ma kënaq
Sa shumë më magjeps mua
ti o trëndafili i bardhë.
Në vazon e zemrës do ta ujis
Të mbahet pa u tharë.
Çdo petale e jotja është ëndërr
dhe gjembat që të shpojnë janë realitet
Nuk do të këpus, të ruaj në portret
Trëndafil i bardhë sa i bukur që je
Me dashurinë time, sa ngjashmëri ti ke.
Ashtu si palët e tua që çelnin dalngadalë
Ashtu zemra më çel edhe mua
Kur të shoh ty përballë.
Prandaj mes trëndafilave e dua jetën
Me gishta i përkëdhel të bukurat gjethe
Aromën e këndshme që më zgjon shumë mall
Çdo mëngjes vrapoj tek ti
Të t’ujis, dielli të mos të të thajë.
Palët e tua më puthin buzë e sy
Vjen si dallgë deti
Si një yll ne ozon shndrit.
/www.QendraPress.com/