Fryma poetike e së mërkurës me poetin:Sahit OSMANI

TË MENDOJMË MË NDRYSHE

—————————————-

Shmangia jonë nga qendra e rëndesës,

Na bën të humbasim drejtpeshimin,

Të tjetërsohemi duke hyrë në zonën e ndërprerjes.

Na përzihet gjaku, jeta bëhet e hidhur,

Shkëputemi prej trungut, prej atij shkëlqimi të lashtë,

Dihet zanafilla jonë, dhe s’e fshehim ndonjëherë krenarinë;

Për shembëlltyrën e qëndresës, për ajrin që e thithim,

për plagët në trup, të mbuluara me petkun e qenies sonë.

Për petkun mbrojtës nga rrebeshet e stinëve historike.

Tani, të tëhuajtur me një letërnjoftim të ri

Duke u ngjitur shkallëve të botës pambarim

Të pajisur pa pajtim shpirtëror me artifice

Detyrojmë veten që të jetojmë më ndryshe,

Të mendojmë ndryshe, të ecim ndryshe.

Të dehur nga ëndrrat

Lejuam ta sulmojnë nga brenda

Kryeqytetin e lirisë

Për të na e përmbysur e për të na e shkulur edhe shpirtin

Nga rrënjët tona të mbështjella me dashuri e përjetësi.

/www.QendraPress.com/