Çaste poetike me poeten;- Arjana Fetahu GABA
Ti
———————-
sot mungove.
Një buzëqeshje u thye brenda heshtjes time,
tek përgjon ditën si vërtitet diellit,
e mua fusha e orës,
më duket pa akrepa, pa numra, pa kohë ..
ndërsa unë në qendër, një pikë,
në pritje të një sinjali që s’di më nga vjen,
në gjithë atë arenë,
si një amfiteatër i braktisur pa Gladiatorë.
Unë,
një Afërditë e vetmuar,
ku as kurora me rozmarinë e as zotat e mi,
s’më bëjnë të më qeshin buzët,
sepse ti sot mungon.
Orët po hanë me njëra – tjetrën
me kafshata të uriturish shpirtin tim,
që varet në prevaz të shpresës,
atje ku rrukullisin gurë lutjet e mia.
Janë ca yje,
që po lindin pas perëndimit të zjarrtë,
a thua më gjen pas tyre?
Kam veshur një pëlhurë të bardhë mëndafshi,
që të më njohësh mes territ të frikshëm,
dhe një fjongo të kuqe,
flokëve që i rris për ty,
ndërsa në sy,
kam fshehur me perde malli,
ca lot që mos ti shohësh,
e të kuptosh sa shumë që kam qarë,
sepse e di që më do,
e do të vijë keq për mua.
Po ndjej ca hapa rrugës nga kam sytë..
Kthehu,
se pishtarët e shpresës po më digjen në duar!
/www.QendraPress.com/