Çaste poetike me poetin;-Llesh GJOKA

TË LUTEM, KALO NË ANËN TJETËR
—————————————————–
Të lutem, kalo në anën tjetër!
Erdhi momenti të guxosh më shumë.
Mjaft më!
Qetësia e kënetës me kallamishte të përgjum.
Sepse,
Si një karpuz me provë
të hodhën mënjanë.
Nuk ishe në shijet e sharlatanizmit të tyre.
Sepse,
nuk mund të sajoje një buzëqeshje noprane
në të njëjtin stil dhe në të njëjtën gjatësi vale me ta.
Në pranëvënien në rresht
Kur duhej t’i përgjigjeshe thirrjes së tyre të mbrame.
Sepse nuk i lajkatoje thagmat e fjalimeve të tyre,
që të ngjallnin krupën në vend.
Sepse,
harroje të duartrokisje sa herë,
kur ngrihej entuziazmi para turmave.
Dhe ndoshta,
s’je më i preferuari në listat e tyre të detashmentit.
Të lutem, kalo në anën tjetër!
Mos e kthe kokën pas për të parë.
Si përdridhen në lojën e tyre, si papagalli,
kur kalojnë lumin e radhës.
Si festojnë të çmeritur.
Si kridhen në ëndërrimin e paqtë
të luanit të ngopur.
Të lutem, kalo në anën tjetër!
Ti nuk je njeriu i kastës së vjetër.
Ti duhet të gradohesh,
për një kohë të ardhme.
Për një qëllim tjetër.
/QendraPress.com/