7 Marsi – dita e nderimit për Heronjtë me Ditar

Në çdo 7 Mars, përulemi me respekt para heronjve me ditar – mësuesve tanë, të cilët me dije dhe përkushtim kanë ndërtuar breza të tërë, duke formësuar mendjet dhe shpirtin e kombit.

Ata nuk mbajnë armë, arma e tyre është lapsi, fjala dhe dija e tyre me të cilën e kanë mbrojtur dhe forcuar identitetin tonë kombëtar.

E historia na mëson se kur kombi e atdheu janë në rrezik kan ditur ta kthejnë lapsin në armë, atë që na e mësuan me fjalë ta bëjnë realitet me pushkë.

Në kohë të vështira, kur arsimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar, ata u bënë mburojë e dijes dhe rezistencës, duke e ruajtur shkollën si një tempull të shenjtë.

Mësuesit janë ata që hedhin themelet e çdo shoqërie të fortë, që formojnë gjenerata me vlera dhe që na mësojnë se dija është forca më e madhe e një kombi.

Sot, të gjithë ne: prindër, nxënës e qytetarë, kemi një borxh mirënjohjeje ndaj tyre.

Për çdo fëmijë që mëson të shkruajë fjalën e parë, për çdo mendje që ndriçohet nga dija, për çdo vlerë që rrënjoset në zemrat e gjeneratave të reja, falënderimi shkon për ta.

Gëzuar 7 Marsin, heronj të heshtur me ditar në dorë!