Çaste poetike me poetin;Sahit OSMANI

DUKE MBETUR PËRJETË DRITA JONË E NDEZUR

(Mësuesit tim të parë, Xhavit Paliçkës,

i cili vdiq aksidentalisht nga rryma elektrike më, 25 maj 1981, në Randobravë të Prizrenit)

———————————————–

U ktheva prapa në udhën, ku zuri fill drita,

Me hapin tim të parë përtej errësirës.

Kanë mbetur kujtime prej të gjitha viteve,

Mësuesi im i parë, i miri, zemra e dritës!

I kapërceva vitet si zog në fluturim të lirë

Isha me shokë e shoqe në klasën e parë

Aty hynte mësuesi me një ditar në

dorë,

Me germat e bukura, që shndrisnin Abetaren.

Gishtërinjtë tanë u bënë ngjyra të ylberit,

Kur e vizatonin jetën me dorën e zemrës.

Kalonim nëpër shtigje të praruara me rreze

Duke kënduar si zogjtë në qiellin e kthjellët.

Lulëzonim jetën tonë si lule pranvere

Në shkollën e bukur me dy klasë mësimi.

Një dhomë e kishte mësuesi prej qytetit

I bërë banor i përhershëm i katundit tonë.

U ngjit lartësive për të takuar orakujt antikë,

I veshur me rroba të qëndisura me rreze dielli

Vetëtima si zogut ia dogji krahët

Duke mbetur përjetë drita jonë e ndezur.

/Qendrapress.com/