Fryma poetike e së dielës me poeten;-Shqipe BYTYÇI

SE UNË JAM FËMIJË DIELLI!

————————————–

Hije e trishtë e tij

krehë rrugët e globit

kafene, rrugica, shkolla të zbrazura

njerëz si milingona kurrizeve ngarkuar

për ditënatët e gjata të vetizolimit

e kur sytë takohen, duart ngrijnë

ato duar që mijëra vjet u zgjatën

si shenjë miqësie

si garanci, s’ka thikë pas shpine

dhe shikimi i ndrojtur rrëshqet

mbi ndryshimet e befta që bota nuk njeh

mbi shkolla, tregti, konferenca virtuale

mbi një jetë te tërë joreale

një heshtje varri, një kollë e thatë

si bajloz i padukshëm që datën t’kallë

mantelbardhë që zotin bëjnë

edhe kur zotat zbresin

e u vënë bajlozëve kunorë

njëjtë, sikur edhe më parë që zbritën

njëjtë, sikur cikleve t’mëhershme t’botës

kur vendosej gjak, mish e asht

karshi atij selekcioni natyror

si një shall i pashmangshëm

supeve t’botës hedhur rëndë

do shqitesh ti nga frymë e gishtërinj

se këtij globi,

vetëm unë bijë dielli jam

do tretesh ti

ashtu si erdhe, pavërejtur

dhe bota sërish do dijë t’përqafojē

pa çka mutacionet tua

tabloja ime s’do përfundojë

se unë jam fëmijë dielli

/QendraPress.com/