Avancimi i partneritetit strategjik me SHBA-në dhe Aleanca Trilateral Ushtarake Kroaci-Shqipëri-Kosovë- Opinion nga ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

Në kontekstin e zhvillimeve të fundit në fushën e sigurisë, përfshirë diskutimet në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kosova po përballet me sfida dhe përgjegjësi të rëndësishme për forcimin e mbrojtjes dhe avancimin e partneritetit strategjik me SHBA-në.

Për një periudhë të caktuar, ishte shqetësues distancimi nga programet amerikane të sigurimit të pajisjeve dhe armatimeve, përfshirë programin e shitjeve apo blerjeve nga ne, Foreign Military Sales (FMS), si dhe reduktimin e bashkëpunimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me Gardën Kombëtare të Iowa-s. Këto zhvillime ngritën pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e mbështetjes strategjike nga SHBA-ja dhe ndikimin e tyre në përputhshmërinë e FSK-së me standardet e NATO-s.

Megjithatë, marrëveshja e fundit për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes sinjalizon një rikthim dhe forcim të këtij raporti jetik, duke vendosur themelet për një aleancë më të thellë dhe të qëndrueshme në mbrojtjen e Kosovës.

Në këtë drejtim, përveç forcimit të marrëdhënieve me SHBA-në, Kosova po konsolidon gjithashtu bashkëpunimin rajonal në fushën e mbrojtjes.

Në kuadër të një ofensive diplomatike të Kroacisë për forcimin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore, ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës pritet të nënshkruajnë në Tiranë Deklaratën për Bashkëpunimin Trilateral Ushtarak.

Kjo marrëveshje synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Pavarësisht se kjo deklaratë nuk përfaqëson një pakt ushtarak, ajo shënon një angazhim për një bashkëpunim më të thellë mes tre vendeve, duke ndihmuar në ndërtimin e një arkitekture mbrojtëse më të koordinuar dhe më rezistente ndaj sfidave të sigurisë në rajon.

Forcat e Armatosura të Kosovës janë dizajnuar dhe po ndërtohen mbi bazën e standardeve të NATO-s, me asistencën profesionale dhe teknike të SHBA-së përmes programeve si Defence Institute of Reform Initiative (DIRI). Ky program ka qenë kyç në analizën e fushës së sigurisë, rreziqeve, kërcënimeve, misionit dhe doktrinës ushtarake të FSK-së, përfshirë trajnimin, planifikimin dhe strukturën organizative.

Marrëveshja e re e nënshkruar me SHBA-në forcon këtë trajektore, duke siguruar një mbështetje të zgjeruar për ngritjen e kapaciteteve strategjike, përfshirë zhvillimin e mbrojtjes ajrore me krijimin e një flote ajrore.
Me një rishqyrtim të avancuar strategjik, Kosova mund të orientohet drejt blerjes së avionëve modernë luftarakë nga Izraeli, për të rritur aftësitë e saj mbrojtëse dhe për të reduktuar varësinë nga kapacitetet e aleatëve në rast të një kërcënimi.

Marrëdhënia e ngushtë me SHBA-në, përmes partneritetit me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe trajnimeve të përbashkëta, ka qenë shtylla kryesore e zhvillimit të doktrinës ushtarake të FSK-së.

Marrëveshja e re garanton jo vetëm ruajtjen, por edhe avancimin e këtyre standardeve përmes përfshirjes së Kosovës në programet e mbrojtjes amerikane dhe shkëmbimeve ushtarake, duke e bërë atë një partner më të aftë dhe të integruar me aleatët perëndimorë.

Në një kontekst më të gjerë strategjik, Kosova duhet të synojë ngritjen e raporteve të mbrojtjes me SHBA-në në një nivel më të lartë, duke ndërtuar një “Traktat të Mbrojtjes së Përbashkët”, të ngjashëm me atë që SHBA-ja ka me Korenë e Jugut. Një marrëveshje e tillë do të siguronte angazhim afatgjatë të SHBA-së për mbrojtjen e Kosovës, duke garantuar një përgjigje automatike në rast të kërcënimeve të jashtme dhe duke vendosur një prani të përhershme të kapaciteteve amerikane në vend.

Për të shmangur pasojat e një strategjie të paqartë dhe për të garantuar një mbrojtje të qëndrueshme, Kosova duhet të ruajë dhe të thellojë orientimin e saj strategjik drejt SHBA-së dhe NATO-s.

Marrëveshja e fundit dhe angazhimi në bashkëpunimin trilateral me Kroacinë dhe Shqipërinë duhet të shërbejnë si bazë për këtë objektiv, duke e pozicionuar Kosovën si një aleate të besueshme dhe një pjesë të pandashme të arkitekturës së sigurisë euroatlantike.