Çaste poetike me poetin;-Imer HYSA

TOPONIMET E VENDLINDJES

——————————–

Dikush emërtoi një rrugë me dëshirën e tij

Nuk pyeti për mbledhje e vendime pleqësie,

Me atë emër vjen me shekuj, si për çudi

Si të kish një emër përkëdhelës fëmije.

Një tjetër emërtoi si deshi një mëhallë

Ashtu i ngeli emri gjithë jetën,

Askush s’foli keq qoftë dhe një fjalë

Me atë emër nga shekujt erdhën.

Dikush ndërtoi një krua të thjeshtë

Që rrugëtari të pinte a freskonte ballin,

Një tjetër anës rrugës mbolli një pemë

Të pushonin nën hije dhe frutat të hanin.

Të tjerë emërtuan pyje, përrenj e liqene

Male, kodra, kala, fshat dhe qytet,

U vunë emra të bukur, si të ishin njerëz

Dhe kurrë s’menduan t’u vënë emrat e vet.

Emërtuan çdo pëllëmbë të vendlindjes sime

Pothuajse gjithçka sot është një toponim,

Bekuar qoftë në jetë të jetëve

Ai që vendlindjen ma quajti: KURBIN!

/QendraPress/