Gjykata Kushtetuese shënon Ditën e Kushtetutës me aktivitetin “Dita e Gjykatës së Hapur”

                Në kuadër të shënimit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitetin tradicional “Dita e Gjykatës së Hapur”, raporton Ekonomia Online.

Ky aktivitet ka për qëllim të afrojë qytetarët me këtë institucion të drejtësisë kushtetuese, duke ofruar një mundësi unike për të vizituar ambientet e Gjykatës, për të takuar gjyqtarët dhe për të kuptuar më mirë rolin e saj në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Gjatë ditës, Gjykatën e vizitoi edhe një grup fëmijësh nga çerdhja e kryeqytetit “Xixëllonjat”, me ç’rast kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, para tyre prezantoi funksionin dhe rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese. “Secili shtet e ka një libër, në të cilin janë të përcaktuara institucionet dhe të drejtat e detyrimet, si të institucioneve, ashtu edhe të qytetarëve. Kushtetuta e Kosovës tregon se çfarë institucionesh do të ketë Kosova,” tha Rexhepi para fëmijëve.