A po ngopemi me iluzionin e suksesit diplomatik të vonuar?-Shkruan;-Gjeneral Hisen BERISHA

Njohja e Kosovës nga Sudani është një lajm i mirë, por edhe një kujtesë e hidhur për vonesat në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë sonë.
Kjo njohje, që në thelb është pjesë e asaj që konsiderohet një “njohje e zakonshme”, duhej të kishte ndodhur shumë më herët. Por, për fat të keq, diplomacia jonë ka dështuar vazhdimisht të mbajë një ritëm të qëndrueshëm lobimi në arenën ndërkombëtare. Mungesa e strategjisë, mungesa e koordinimit me aleatët dhe një qasje pasive destruktive nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë lënë Kosovën të ngecur aty ku nuk do të duhej të ishte më – në pritje të njohjeve bazike që të tjerët i kanë përmbyllur një dekadë më parë.
Ka një dallim thelbësor mes njohjeve të zakonshme dhe atyre strategjike. E para është pjesë e procesit të natyrshëm të shtetformimit ndërkombëtar; e dyta është tregues i vendosjes së një shteti në rrjetin global të aleancave politike, ekonomike dhe të sigurisë. Fatkeqësisht, njohjet strategjike mungojnë. Jo sepse mungon vullneti i shteteve të caktuara, por sepse politika e jashtme e Kosovës, për vite me radhë, ka lëvizur në boshllëk, pa bosht të qartë euroatlantik. Me një politikë të jashtme më të fokusuar, sot do të ishim më afër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare të rëndësishme dhe do të kishim konsoliduar aleancat jetike.
Rasti i njohjes nga Sudani – ashtu si më herët nga Kenia – ngre pyetjen: a është kjo rezultat i një lobimi të mirëfilltë politik, apo vjen si produkt i interesave ekonomike apo të ndërmjetësve të tretë? Në një botë ku diplomacia ekonomike po merr përparësi ndaj asaj tradicionale, është e mundur që interesat e biznesit, marrëveshje tregtare apo projekte investive të jenë bërë motivues për njohjen. Megjithatë, nëse kjo është e vërtetë, ajo tregon edhe një gjë tjetër: që Kosova nuk ka ditur t’i kapitalizojë këto forma të reja të ndikimit ndërkombëtar.
Në fund, edhe pse çdo njohje është e mirëseardhur, nuk duhet të lejojmë që të na ngopë me iluzionin e progresit. Sepse njohja nga Sudani, në vitin 2025, është më shumë një simptomë e vonesës së madhe në politikën tonë të jashtme sesa një sukses i vërtetë diplomatik./QendraPress./-