Kurti nuk është i interesuar për konsensus – ai po luan me krizën-Shkruan;Gjeneral Hisen BERISHA

    Kur shteti është në krizë, udhëheqësit seriozë ulen për të kërkuar zgjidhje, bëjnë kompromis në vend të arrogancës së numrave, krijojnë ura, dhe e vendosin interesin publik mbi kalkulimet personale.

Por jo Albin Kurti.

Në vend të një figure unifikuese që do të hapte rrugën për tejkalimin e ngërçit institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ai ofron provokim të pastër dhe sfidim politik me propozimin e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit.

Një figurë me dosje të hapur gjyqësore, pa përvojë institucionale, pa asnjë shenjë përfaqësimi gjithëpërfshirës, e njohur më shumë për lojalitetin ndaj liderit sesa për përgjegjshmëri ndaj shtetit, deficit të tiparëve dhe vlerave që duhet të përbëjnë personalitetin unifikues të një Kryeparlamentari.

Nominimi i znj. Haxhiu në ketë përgjegjësi, Kurti dërgon një mesazh të qartë se ai nuk është i interesuar për konsensus institucional – ai po luan me krizën.

Një emërim që nuk përfaqëson konsensus, por konflikt.

Një lëvizje që nuk ofron zgjidhje, por thellon krizën.

Ky veprim i Kurtit nuk është naiv! Ai e di shumë mirë që posti i Kryetarit të Kuvendit, si funksioni i dytë më i lartë në shtet, mund t’i takojë edhe ndonjë aleati eventual për bashkëqeverisje. Por ai nuk kërkon aleatë. Ai kërkon kundërshtarë të cilëve t’u vendosë etiketa, t’i paraqesë si bllokues, për ta përdorur krizën si narrativë për viktimizim, në raport me opozitën si refuzuese, duke iu bërë paralele me Listën Serbe.

Ky nuk është dialog, është tallje me procedurën. Ky nuk është negociim, është test besnikërie për deputetët dhe test durimi për opozitën. Për më tepër, është një përpjekje për të matur sa deputetë mund të blihen, nëse vendi shkon në zgjedhje të reja.

Kuvendi i Kosovës nuk është tribunë për teatro të radhës, e as opozita nuk është kor që mban ison e një vullneti të vetëm. Demokracia nuk është monizëm. Nuk është sundim, por balancë.

Partitë opozitare, sidomos ato të bllokut të djathtë, nuk duhet të luajnë rolin e spektatorit. Ato duhet të jenë digë e fundit kundër kapjes së plotë të shtetit. Qytetarët e kanë lexuar situatën: ky nuk është përfaqësim, ky është kalkulim politik. Ky është përpjekje për ta kontrolluar narrativën, për të ruajtur pushtetin me çdo kusht – pa hapësirë për balancë dhe bashkëqeverisje, pa respekt për vullnetin e votës. Përgjigjja duhet të jetë e prerë Jo Albulenës. Jo këtij teatri politik. Jo kapjes së institucioneve nga një dorë e vetme./QendraPress/