Ndërpritet seanca konstituive, nuk kalon propozimi që të votohet në mënyrë të fshehtë kandidatja Albulena Haxhiu

Për të nëntën herë me radhë, deputetët do të mblidhen për të tentuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Zvarritja në konstituimin e legjislaturës së nëntë po ndodh për shkak se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për kryeparlamentare, por në gjashtë votime radhazi, ajo ka marrë vetëm 57 vota, ndërsa në votimin e fundit, vetëm 54. Subjektet politike, LDK, PDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërkohë, Vetëvendosje ka thënë se nuk do të propozojë një kandidat tjetër, transmeton Telegrafi. Për shkak të kësaj situate dhe pamundësisë për konstituimin e Kuvendit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar sot në orën 08:30 në një takim konsultativ kryetarin e PDK-së dhe atë të LDK-së. Takimi është planifikuar të mbahet në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës. PDK ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim, ndërsa LDK e ka refuzuar ftesën.Telegrafi do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet.