Latifi viziton lokën 108-vjeçare në Kaznik të Rahovecit: Kosi, djathi, buka e misrit… e mbajnë të shëndetshme

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, realizoi një vizitë emocionuese në fshatin Kaznik, ku nderoi lokën 108-vjeçare, Sadije Bajrajt.
Lokja, e lindur më 15 mars 1917 në Dejnë (bijë Hoti), është një grua e fortë dhe e dashur, që vazhdon të jetojë e lumtur dhe e rrethuar nga nipër, mbesa dhe familjarë të tjerë.
“Në fshatin e vogël, por me zemër të madhe, në Kaznikun e kujtimeve të mia të shumta, posaçërisht të atyre të luftës, i bëra një vizitë lokes 108-vjeçare, Sadije Bajrajt, e cila jeton e kënaqur dhe e rrethuar me nipa, me mbesa e me familjarë të tjerë”, shkruan Latifi, në një postim të tij ne Facebook, raporton PrizrenPress.
Lokja, e cila është në shëndet të mirë dhe ka një kujtesë të fuqishme, shpjegoi me gjallëri jetën e saj të pasur, përpjekjet dhe vuajtjet që ka kaluar.
“Kosi, djathi, buka e misrit, gjellërat dhe ushqimet natyrale e kanë mbajtur dhe e mbajnë të shëndetshme”, vazhdoi Latifi.