Fryma poetike e së dielës me poeten;-Teuta BIÇAKU

Por unë…
———————————–
Nuk dal dot nga lëkura ime e fortëbrishtë,
është kjo që më mban
si një lëvozhgë që s’plasaritet,
edhe kur bota më gërryen me thonj si bishë.
Gjarprin e kam zili
herë-herë kur pakuptuar bie në angështi ,
ai e heq nga vetja të vjetrën mbi trup
rrëshqet mbi dhé me elegancë,
pa kujtim, pa dhimbje, pa turp.
Por unë…
mbetem në lëkurën që më dogji dielli,
në plagët që s’i mbart askush veç meje.
Nuk ndryshoj ngjyrë,
as kur padrejtësia më verbon me flakë rrufeje.
Më thonë: “Zvarritu pak,
bëhu gjethe në erën që fryn
e me të loz”.
Por unë …
jam rrënjë,
e lidhur me tokën që qan në heshtje,
jo hije që përtej dritës
përdridhet e ndryshon formë.
Dhe ndonëse shputa më gjakoset
nga gurët që s’i shmang dot,
mbart ende aromën e lisit të lagur,
dhe frymën time e ngrohin zogjtë.
#teutabiçaku #copywriting #poetry
/QendraPress/