Besnik Krasniqi,kryetar i degës së AAK-së në Prizren-. Politika e VV-së ka krijuar një vakum të rrezikshëm dhe ka shtuar përçarjet në vend…

QendraPress: Zotëri kryetar –Si e shihni ngërçin aktual të Qeverisë, dhe si mund të tejkalohet kjo gjendje?
Besnik Krasniqi,kryetar i degës së AAK-së në Prizren-Në këtë kaos politik, pasojat nuk janë vetëm të natyrës politike. Kosova ka përjetuar një regres të ndjeshëm në fushën e lirisë së mediave, një sektor kyç për funksionimin e një shoqërie demokratike. Në raportin më të fundit mbi lirinë e mediave, Kosova ka rënë në vendin e 99, një pozicion alarmues që dëshmon regresin e madh të vendit në këtë fushë. Kjo është pasojë e politikave linçuese dhe denigruese të VV-së dhe Qeverisë kundrejt gazetarëve dhe mediave. Sulmet e vazhdueshme ndaj profesionistëve të medias, kërcënimet dhe presionet që gazetarët kanë përjetuar në këto katër vjet, kanë bërë të pamundur zhvillimin e një debati të hapur dhe të lirë, dhe kanë minuar lirinë e shtypit si një nga shtyllat më të rëndësishme të një demokracie të shëndetshme. Për më tepër, kjo qeverisje është përfshirë në skandale të shumta, të cilat kanë rritur ndjeshëm nivelin e korrupsionit në shtet. Raporti i Departamentit të Shtetit e ka cilësuar qeverinë e Kosovës me termin “governance corruption”, duke e renditur atë si një nga periudhat më të errëta të administratës kosovare. Korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit janë bërë të dukshme, duke dëmtuar jo vetëm besimin e qytetarëve në shtet, por edhe imazhin e Kosovës në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Kosova tani është një vend me institucione të dobëta dhe një qeveri që ka dështuar të realizojë angazhimet e saj. Politika e VV-së ka krijuar një vakum të rrezikshëm dhe ka shtuar përçarjet në vend, duke e bërë të vështirë për të arritur një zgjidhje për situatën aktuale. Ky dështim është një ndihmesë e madhe për rënien e besimit të qytetarëve në shtetin e Kosovës dhe për pasivizmin që ka karakterizuar institucione të rëndësishme. Kosova ka nevojë urgjentisht për një ndryshim të thellë dhe të qëndrueshëm. Pa një ndarje të qartë mes politikës dhe interesave të qytetarëve, pa një angazhim të sinqertë për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur lirinë e medias, do të jetë e pamundur të krijohet një shoqëri e fortë dhe e begatë. Ky është momenti që kërkon reflektim dhe ndryshim, sepse çdo vonesë tjetër do të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Besnik Krasniqi
‘/QendraPress/