Çaste poetike me poeten;-Alma BAJA

NJË FRYM’ QË MBIJETOI ME BUTËSI!
I.
E kam takuar veten në shumë versione:
si fëmijë që dridhet në cep të kujtesës,
si grua që rri zgjuar në netë pa rrugëdalje…
Kam mbajtur peshën e asaj që s’u tha kurrë,
kam qarë në gjuhë që vetëm shpirti im e njeh…
Skulptura ime nuk është e lëmuar
çdo gërvishtje është një betejë e fituar
jo ndaj të tjerëve, por ndaj vetes që s’dorëzohej…
Dhembja s’më bëri as gur, as armë
ajo më mësoi të mbaj dritën në mes të errësirës,
si qiriu që digjet në tempull, heshtur…
Çdo plagë – një daltë,
çdo thyerje – një kthesë që më formësoi…
Nuk jam një monument krenarie,
por një frym’ që mbijetoi me butësi…
Unë jam ajo që zgjodhi të mos ngurtësohet në dhimbje,
ajo që e la shpirtin të dojë edhe kur thyhej…
Përulja nuk më rrëzoi –
më gdhendi…
II.
Shpirti im ka lindur shumë herë…
Në secilën rrugë që kam ecur
kam zgjedhur vetëm dashurinë…
Në thellësi të shpirtit tim
banon fëmija që ende qan,
gruaja e rritur që nuk gjen prehje…
Veç bukuria e shpirtit tim
kur thyhet nga dashuria
nuk mund të përshkruhet me fjalë…
Falja që dhurova në heshtje
është drita në ballë…
Po, drita që dhashë për të tjerët
më ndriçoi më shumë
sepse shpirti është i bukur jo kur duket,
por kur ndriçon të tjerët pa zhurmë…
/QendraPress/