Tragjedi në një familje në Prizren, babai ther për vdekje vajzën 15 vjeçare

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Prizrenit, ku një person ka therur për vdekje vajzën e tij 15 vjeçare.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyçi.
“Sot më datë 06.05.25 rreth orës 05:57 policia përmes telefonit ka marrë informatën se në rrugën “Shote Galica ” në Prizren ndodhet një person i lënduar dhe se emergjenca mjekësore nuk po mund t’i jep ndihmë ngase një i dyshuar ndodhet me thikë ne dorë. Në atë drejtim janë nisur katër patrulla policore. Në vend ngjarje është kuptuar se një i dyshuar M.G. viti i lindjes 1981, mashkull ka therur me thikë dy vajzat e tij, njëra 15 vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vend të ngjarjes dhe tjetra e lënduar rëndë, e cila për momentin në gjendje të rëndë ndodhet në QKUK në Prishtinë”, theksoi ai.
Bytyçi shtoi se i dyshuari ka lënduar veten dhe se ai tashmë gjendet në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Zëdhënësi pohoi se lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e tij, 35 vjeçare.
“Të gjithë këta janë familjar mes vete dhe janë shtetas të Turqisë me banim të përkohshëm në Prizren”, nënvizoi ai.
Policia është duke u marr me rastin. /Telegrafi/