LDK i kthen përgjigje Kurtit, propozon qeveri të tranzicionit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka propozuar qeveri të tranzicionit.
Ky propozim vjen pas ftesës së Albin Kurtit, për koalicionin LVV-LDK, transmeton Telegrafi.
“Kam marrë një letër nga kryetari i VV-së dhe i nxitur nga konsiderata për votuesit e VV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet qe janë ngritur mbi atë. LDK-ja duke parë stagnimin 4-vjeçar, e kam fjalën për aleancat e rrezikuara, rrezikimin e sigurisë nacionale… E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me z.Kurti. Por sot vendi është në krize te thellë institucionale, pikërisht për shkak të partisë së parë. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale te tranzicionit”, ka deklaruar ai. Abdixhiku ka ftuar të gjitha partitë që të bëhen bashkë dhe të ofrojnë zgjidhje. “Një qeveri me afat të caktuar, deri në zgjedhjen e presidentit të ri”, theksoi Abdixhiku.
Në konferencën për media, ai ftoi Kurtin dhe liderët tjerë politikë për një takim rreth kësaj nisme.
Ai pohoi se kjo do të ishte një qeveri me afat të shkurtër, derisa tha se duhet krijuar qeveria në mënyrë që të shkohet në zgjedhje. /Telegrafi/