Leja vetit”, znj. Presidente! Heshtja nuk është më opsion, por bashkëpjesëmarrje në krizë-Shkruan;- Hisen BERISHA,analistë politik

Në një kohë kur vendi ndodhet në një bllokadë të thellë institucionale, qytetarët e thjeshtë, në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe popullore, do të thonin: “Leja vetit!” – pra, vepro!

Takimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me liderët e partive politike shqiptare për të zgjidhur bllokadën paszgjedhore përfundoi ashtu siç pritej, pa ndonjë marrëveshje, pa zgjidhje dhe pa ndonjë alternativë reale. Ishte një skenar i përsëritur që ka humbur efektin edhe si dramë politike.

Kjo çfarë po ndodhë recidivisht nuk është më krizë zgjedhore por është një krizë e demokracisë.

Situata politike ka marrë konotacione bllokuese, me pasoja të rënda për funksionimin e institucioneve të Republikës. Në këtë kontekst, nuk ka më hapësirë për pritje as për heshtje kalkuluese.

Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, skena politike është paralizuar nga një spirale polarizimi, manipulimesh dhe shantazhi institucional. Praktika që ka marrë jetë në këtë vend është ajo e lajthitjes, duke e standardizuar mashtrimin si politikë dhe shantazhimin e rafinuar përmes deklaratave të tipit “karrotë” se “koalicion për qeverisje do të ketë por kur të na e votoni kryetarin e Kuvendit” nënkuptohet me ata që na i sigurojnë votat e munguara.

Ky është kushti që tenton të shesë një aleancë të ardhshme, por në thelb është një përpjekje për të përçarë dhe kontrolluar çdo hallkë të sistemit. Një lojë e rrezikshme, ku rregullat politike nuk luhen ashtu rastësisht, por rishkruhen në mënyrë që të jenë gjithmonë në favor të një pale.

Kushtetuta nuk është një sugjerim – është një udhëzim i detyrueshëm. Në mungesë të një qeverie funksionale, me Kuvend të bllokuar dhe dështim të afateve për krijimin e institucioneve, Presidentja ka detyrimin që të shfrytëzojë statusin që i jep pozita kushtetuese për të zhbllokuar procesin. Kjo përfshin edhe ndërmarrjen e hapave të përligjur nga Gjykata Kushtetuese si gardian i kushtetutshmërisë, për shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës, nëse partitë politike nuk kanë vullnet ose aftësi të gjejnë kompromis konsensual për debllokim të procesit.

Sipas nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës, Presidentja e vendit ka detyrë që të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve. Kur ky funksion nuk mund të realizohet nga brenda sistemit, atëherë kemi hyrë në një fazë ku demokracia është thjesht një mbulesë për abuzime të pushtetit.

Polarizimi politik, që në kushte normale është pjesë e konkurrencës demokratike, këtu është kthyer në mjet për dominim autoritar.

Partia në pushtet, përmes kontrollit të narratives dhe instrumentalizimit të institucioneve, po e shndërron politikën në një arenë ku kundërshtarët nuk shihen si rivalë, por si armiq që duhet eliminuar.

Kjo nuk është një sëmundje e panjohur për demokracitë e brishta.

Historia politike na tregon se pikërisht një lider i zgjedhur në mënyrë demokratike, mund të ketë aftësinë për t’i shkatërruar mu ato institucione që e kanë sjellë në pushtet.

Në Kosovë, ky skenar është duke u jetësuar në kohë reale. Pra kemi një polarizim ekstrem që ushqehet përditë, një përqendrim i pushtetit sipas mendësisë moniste, që zhvesh nga kuptimi çdo institucion, një sistem ku ligji dhe rregullat janë fleksibël vetëm për ata që e kanë kapur shtetin.

As shtypi nuk ka mbetur imun. Ai që duhej të ishte reflektor i këtij rrënimi, është vetë nën trysni. Renditja e fundit nga Reporterët pa Kufij (RSF), që e vendos Kosovën më keq se të gjitha vendet e rajonit sa i përket lirisë së shtypit, është alarm i rëndë. Kjo është shenjë e qartë se demokracia jo vetëm që është bllokuar, por po zbrazet nga përmbajtja.

Nën petkun e fjalëve të mëdha, po instalohet një realitet gjithnjë e më autoritar.

Nëse nesër, kur pritet të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, sërish do të kemi edhe një ditë tjetër pa marrëveshje, pa zgjidhje dhe me të njëjtin teatër politik, atëherë duhet të pranojmë një të vërtetë të thjeshtë por të dhimbshme, se kriza në Kosovë nuk është më institucionale, por është në krizë vet sistemi shtetëror ende në tranzicion. Dhe ajo nuk do të zgjidhet me një tryezë politike, por me një kthesë serioze drejt rikthimit të vlerave demokratike, ku duhet të vihet në veprim sovrani, nga i cili edhe buron demokracia.

Historia nuk i fal ata që heshtin kur duhet të veprojnë. As populli.

Prandaj, leja vetit, znj. Presidente, vepro për Shtetin!/QendraPress/