Çaste poetike me poeten;-Valbona Pasha KORDHA

Mërmëritet nën dhëmbë mundimshëm nëna ime
————————————-
jo nga ishemia, harresa,
por nga zakoni i heshtjes së gjatë
ajo nuk e mësoi kurrë veten të kërkojë.
Ajo ishte një orë pa akrepa
jetën nuk e mati me kohën që iku,
por me pritjen që s’u shpërblye kurrë.
Çdo mëngjes i saj ishte një
fillim që nuk mbërriti fundin.
Çdo darkë ; një llogari që nuk
bëhej asnjëherë barazim.
Nuk pyeti kurrë për të drejtën,
sepse për të, drejtësia ishte buka
që ndahej më dysh…
Rrotullonte të hollat në cepin e shamisë,
një ritual i vjetër si heshtja vetë.
Nuk pati kurrë kasafortë,
por çdo natë mbyllte me
çelësin e saj të padukshëm
kujdesin për ne.
Ende mërmëritet kooperativistja e orëve të para,
ajo që zbardhte më shpejt se agimi
S’u bë kurrë e kamur nëna ime.
Tani numëron kodet mujore të barnave
dhe ca premtime të vakura nga sirtari i shtetit.
Po ikin nënat tona , si gjethe që nuk
bien më zhurmë,por kur prekin tokën,
dhëmb ndërgjegja jonë.
/QendraPress/