Çaste poetike me poeten:-Manushaqe Hoxha LAÇI

Testamenti i përjetshëm i zemrës
——————————-
Oksigjeni i qenies sime jeni ju,
Se kur më shihni, ndalet koha,
Kur më prekni, zgjohet qielli,
Kur më flisni, rrëzohen dyshimet.
Ju më mësuat që fjala “fëmijë”
Mund të shkruhet edhe “dielli i jetës”.
Nuk jeni vetëm dashuri…
Jeni burimi ku merr jetë forca ime,
Prehje e ditëve të mia të rrëmbyera,
Mendimi im më i qetë dhe më i trazuar njëkohësisht.
Jeni përtëritja e qelizave të pazëvendësueshme,
Gjithçka që më bën të pamposhtur, unike.
Kur ju shikoj, nuk më duhen pasqyra,
Jam e tëra brenda syve tuaj,
Prej tyre e kuptoj që jam mbretëreshë,
Aty shikoj kalanë e pamposhtur të shpirtit,
Dhe, jam njeriu që meriton të jetë e lumtur.
Zoti e di, sa herë ju përmend emrat,
Zemra ma thotë: ky është bekim, kjo është jeta.
Ju më bëni poete pa letër e pa penë,
Fjalët më dalin vetë kur jam pranë jush.
Zëri juaj është strofa më e bukur e ditës sime,
Dhe buzëqeshja juaj, rima që nuk dua të humbas.
Ju më keni ndërtuar me butësi,
Dhe më keni shpëtuar nga kthetrat e errësirës.
Ju jeni zgjatje e ëndrrave të mia më të hershme,
Dhurata më e bukur që mund ti bëhet një femre,
Çdo natë lutem, që në çdo mëngjes,
Të jetë zëri i lumturisë suaj ai që më zgjon,
Edhe nëse s’flisni, mjafton të jeni mirë.
Ju jeni muzika që s’lodhem kurrë së dëgjuari,
Flladi që më jep jetë në ditë pa ajër,
Qetësia ime në mes të stuhive,
Pa ju do isha një fjali pa kuptim,
Një ditë e zymtë, pa dritë, pa shpresë.
Kur lindët e firmosa shpirtin tim me emrin tuaj,
Si një dokument i shenjtë që nuk skadon kurrë,
Sepse ju dua, o të shtrenjtët e më të shtrenjtëve,
Dhe ky është testamenti i gjakut që më rrjedh në deje,
E thjeshtë. E përjetshme. E juaja, fëmijët e mi!
/QendraPress/