Çaste poetike me poeten:-Mimoza Dilaver KURTI

Kur lindi vajza
————————————–
Më njëzet të qershorit, ditë e mërkurë,
në mes të drekës, dymbëdhjetë e gjysmë,
prindërit e mi u shtuan me tjetër vajzë.
Heshtja ra mbi dhomën ku linda
erdha në këtë botë pa bujë,
por me emër plot drita…
Dikush tha me zë të ulët, por mjaftueshëm që dhembte,
“Plasja i raftë, a nuk qenka djalë!?
Prapë me vajzë!?”
Ashtu ishte koha, duhej krahu për arën,
duhej djalë për parmendën e pushkën e derës.
Por babai dhe nëna s’u ligështuan,
as nuk u mërzitën nga fjalët,
më rritën në duar e me zemër të hapur,
pa pyetur për pushkën a parmendën.
Unë rritesha dhe fjala ime bëhej punë e zë,
e babai më shihte e buzëqeshte,
sikur donte të gjithëve t’u thoshte:
“Kjo është vajza ime – djalë
që mbolli dije e dashuri e jo armë”.
Por vitet kaluan si ujëra të thellë,
dhe unë u rrita – e heshtur, por e fortë,
me duar të buta që punonin si duar burrash,
e sy që kërkonin një vështrim krenarie të plotë.
Pra, unë jam ajo vajza,
që lindi në drekë mes fjalësh të hidhura,
por u bë krenaria e nënës dhe babait,
si një bimë që rritet kundër erës,
e lulëzon më bukur se të gjitha varg.
/QendraPress/