Ku do të shkonte hija ime nëse do të mund të lëvizte lirisht? Shkruan; Farie BISHA

Një pyetje e çuditshme që lexova sot, por që më bëri të ndalem e të mendoj.
Jemi mësuar ta shohim hijen si diçka që na ndjek – “e ndoqi si hije”, “rrinte si hije” – por kurrë si diçka që shkon vetë, që merr udhën. Ajo zakonisht është thjesht pranë nesh. Thonë: “E shoqëron hija e vet.” Por ndoshta pyetja e vërtetë është: si jam unë? Sepse hija vjen pas meje, merr formën time.
Kur drita është anash – majtas apo djathtas – hija ndryshon drejtim, zgjatet, shkurtohet. Këndi i dritës përcakton formën dhe dimensionin e saj. Por edhe këtu, përtej gjithë këtyre pozicioneve të mundshme, ne zgjedhim se cilën perspektivë duam të shohim. Krijojmë vizionin tonë personal.
Sapo lëvizim, hija ndryshon. Forma e saj s’është më e njëjta. Perspektiva ndërron. Imagjinoni dritë-hijen e një figure nën ndikimin e rrezeve të diellit: si ndryshon, si zbehet, si deformohet. Si në jetë – gjithçka varet nga drita, nga këndi, nga pozicioni. Edhe realiteti që shohim është i tillë: ndryshe nga çdo cep që e vështrojmë, ndryshe nga çdo ndjesi që mbartim.
Si përfundim, hija është gjithnjë relative. Nuk është thjesht një projektim në tokë, por një pasqyrim i lartësisë sonë personale – fizike, emocionale e shpirtërore.
Por po të lëvizte hija lirshëm? Nëse nuk do të ishte më e lidhur pas nesh?
Ah… aty nuk e kap dot më fantazia. Ku do të shkonte? Çfarë do të bënte?
Ndoshta do të udhëtonte në kujtime. Do të shfaqej në vendet ku kam buzëqeshur dikur, ku dikush më kujton me mirësi. Hija ime do të ishte aty – në energjinë që kam lënë pas. Ndoshta do të shfaqej edhe në kujtime të vështira, e rënduar, e lodhur…
Hija ime është kur unë nuk jam aty.
Një hije e padukshme.
Por ndjehet.
Në qeshjet që lë pas, në kujtimet që mbeten.
Në dritën që reflektohet te të tjerët.
Ka dhe hije të brëndshme ato janë më të vështirat. Nëse drita është vetëdija jonë, hija ajo e fshehta, e pakontrollueshme që lëviz në heshtje…
Luzern 20.6.25/QendraPress/