Temë që duhet të shqetësohemi të gjithë -;Shkruan.-Bashkim Hoxhaj, analistë

Ishim mirë kur ishim të pushtuar”! Gjithandej po e dëgjojmë një frazë, për mua shqetësuese:
“u shkatërruam këto 26 vjet”.
– lidhurnme këtë, dua të bëj ca pyetje të thjeshta:
A ishim më mirë kur ishim të pushtuar?
A ishim më mirë atëherë, kur dy milicë serbë hynin në një kafene dhe rrihnin të gjithë të pranishmit vetëm pse ishin shqiptarë? Kur i fyenin, i poshtëronin, ua shanin nënat, motrat dhe gratë? Kur i detyronin të hidhnin plisin në tokë dhe ta shkelin me këmbë, si një akt përbuzjeje ndaj identitetit tonë?
A ishim më mirë kur dhunoheshim, burgoseshim, persekutoheshim vetëm për atë që ishim, shqiptarë ? Atëherë kur na mohohej e drejta për shkollë, për punë, për të folur në gjuhën tonë ?
A ishim më mirë kur fshatrat tona nuk ngjanin me vendbanime normale; pa kanalizime, pa rrugë, pa ujë të pastër nëpëe puse , pa ndriçim? Kur shkollat ishin të pakta dhe vjetëruara, kur fëmijët udhëtonin me kilometra në këmbë gjatë acarit, nëpër shi dhe të nxehtin përvëlues… e me rrugët përplot baltë, për të shkuar në shlollë e me mundësi objektive të pakta për të qenë mirë me mësimet ?
Jo, nuk ishim më mirë në atë kohë. Ishim të shtypur, të nëpërkëmbur dhe të poshtëruar. Dhe kjo nuk mund të fshihet pas një slogani të gabuar, me, ose pa qëllim.
Disa nga nostalgjikët e kohëve të errëta i përmendin me mall e me krenari disa fabrika të dikurshme që, sipas tyre, ishin të mëdha dhe punësonin njerëz. Por kjo është një kujtim i shtrembëruar. Ato fabrika shpesh ishin vetëm fasadë, punët ishin të pakta, kushtet e punës të rënda dhe pagat minimale, ndërsa shumica e popullsisë jetonte në mjerim dhe në mungesë të çdo shprese. Mbyllja e tyre pas luftës nuk është shkaku i mjerimit të sotëm; ato fabrika kanë qenë të vjetruara e joefektive, që nuk do të ishin aspak produktive apo konkurruese në kushtet e ekonomisë moderne të tregut në kohë të sodit. Mbyllja e tyre nuk është faj i lirisë, më shumë një domosdoshmëri për ndryshim dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Të lavdërosh të kalurën e tmerrshme dhe ta përçmosh lirinë që kemi fituar, duke e harruar të vërtetën, përbën një fyerje ndaj sakrificës së brezave.
Të thuash se ishim më mirë atëherë, është të mohosh dhimbjen e një populli të tërë.
Është fyerje e gjakut të derdhur për liri.
Është si të shkelësh mbi varret e dëshmorëve, mbi lotët e nënave, mbi vuajtjet e të burgosurve dhe plagët e të gjallëve.
Është e vërtetë, se sot kemi sfida dhe mangësi, mirëpo kjo nuk e zbeh vlerën e lirisë dhe zhvillimet pozitive që na solli ajo në të gjitha aspektet e jetës.
Sot kemi shumë më shumë shkolla, universitete, rrugë të asfaltuara, autostrada.
Kemi demokraci, liri të shprehjes, dhe të rinjtë tanën/ shumica prej tyre, flasin gjuhë të huaja dhe kanë qasje në informacion në të gjithë globin.
A ka vend për kritika?
Po, padyshim që ka.
Unë vetë jam dhe vazhdoj të jem kritik. Ka shumë për t’u përmirësuar, shumë për t’u ndryshuar.
Sidoqoftë, të thuash se ishim më mirë para çlirimit – duhet të jesh ose idiot, ose i marrë, ose ish-shpiun – për ta përshkruar atë kohë si më të mirë se të tanishmen.
Nuk mund të harrojmë atë që kemi kaluar, dhe nuk mund të na shtyjnë në errësirë nostalgjitë e rreme.
Liria nuk sjellë mrekulli me shkop magjik, kërkohet punë. Dhe mbi këtë themel mund të ndërtojmë të ardhmen tonë.
Le të mos harrojmë se liria nuk ka çmim të krahasueshëm me robërinë. Është marrëzi, turp, e ulët, anrihumane… vetëm nëse na shkon nëpër mend , madje pa folur fare.
Andaj, të mos bien pre e propagandës së lansuar nga Serbia që po përhapet çdo ditë nëpër Kosovë, nga njerëzit e saj që flasin shqip dhe jetojnë midis nesh./QendraPress/