Çaste poetike me poeten;-Elmije AJAZI

Jo, burrnia nuk ka vdekur…
————————————
Dëgjo, bir…
Jo me veshë, po me zemër.
Se zemra s’mban veç gjak –
ajo ruan besë, fjalë që nuk thuhen,
kujtime që digjen pa zë…
edhe plagë që nuk shërohen me kohë.
Kam parë burra që s’kanë britur
as kur shpirti u është këputur –
se burrnia nuk është britmë,
por heshtje që s’të lë në baltë.
Kam parë gra që s’kanë thënë asnjë fjalë,
por sytë u flisnin
si një libër i shenjtë.
Ishin dritë – ajo dritë që nuk hedh hije.
Miku i vërtetë s’troket.
Vjen si era – i lehtë, pa zhurmë.
Lë aromë në shpirt,
jo baltë në prag.
Kam pasur një gjysh që besën e mbante
si gur në kraharor.
“Mos e lësho fjalën, nëse s’e mban dot,” më tha.
Se besa s’ushqen,
por pa të – as buka s’të shijon.
Sot, në një kohë që vrapon mbas hijes së vet,
kërkoj odat e vjetra –
ku burrat s’kishin nevojë për armë,
veç për fjalë që digjnin,
pa lyer me gjak.
Jo – burrnia nuk ka vdekur.
Ajo pret:
një gojë që nuk shitet,
një vesh që dëgjon –
jo për t’u përgjigjur,
po për të kuptuar.
/QendraPress/