Çaste poetike me poeten;- Rajmonda Shyta KOLVAN

Gjumë të ëmbël qyteti im

————————————-

Buzëmbrëmja heshtjes zhytet,

Qielli flakëron përskuqur,

Gjethet ngjyhen me të kuqe

Buzëmbrëmjen duke puthur.

Majat pemëve flakërojnë

Zoqtë gjumarashë flejnë

Flladi hesht mos zogjtë zgjojë,

Fshehur gjetheve ndër pemë.

Mbyllur çadrat buzë bregut

Porsi gonxhe ngjyrash ndezur

Plot lokalet gjallërohen

Xhirua mbrëmjes nis e shtohet.

Flejnë varkat në ranishte

Nderet hëna përgjimtare

Parfumojnë lulet lulishtes

Plot aroma ledhatare

Nata yjet qiellit ndezi,

Varkat flejnë ëndërruar,

Ndezur dritash fle qyteti

Gjoli dritash pasqyruar.

Ç’mallëngjim!

Gjumë të ëmbël qyteti im.

Rajmonda Shyta Kolvan

/QendraPress/