Fryma poetike e së dielës me poeten; Hanife R. SALIHU

Heshtje që merr frymë
———————————–
Heshtja kishte zënë vend në dritare,
si një mik i vjetër që s’lëviz më.
Ditët vinin e iknin pa zë,
si hapat e kujtimeve që s’ndalen.
Në ajër s’kish më shije vere,
as zhurmë shiu mbi xham.
Vetëm mendimet bredhnin rrugëve,
aty ku dikur zhurmonte ndjenja.
Zemra s’dinte më ç’të kërkonte,
ishte bërë rrudhë nga koha,
si fletë e lexuar shumë herë,
por ende e freskët.
Vetëm praninë ma solle,
dhe u bë mjaft.
U drodh ajri,
si të kishte mbajtur frymën në ajër.
/QendraPress/