Maliqi: Nëse Kuvendi nuk konstituohet sot, Presidentja duhet të shpallë zgjedhje të reja

Në prag të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e veprimtarisë parlamentare, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot për të 53-tën herë me radhë në përpjekje për konstituim. Megjithatë, kriza politike vazhdon, ndërsa presioni për zgjidhje po rritet. Në këtë kontekst, publicisti Shkëlzen Maliqi ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se, nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet deri më 26 korrik, atëherë presidentja e vendit duhet të ndërmarrë hapin për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
“Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, presidentja, si kujdestare e funksionalitetit të institucioneve të republikës, duhet ta konstatojë gjendjen e vetëshkarkimit të Kuvendit dhe të shpallë zgjedhjet e reja”, ka shkruar Maliqi.
Ky paralajmërim vjen në një situatë të ngërçit politik, ku për më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kuvendi ende nuk është konstituuar. Arsyeja kryesore mbetet përplasja për postin e kryetarit të Kuvendit, me Lëvizjen Vetëvendosje që vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut, e cila kundërshtohet nga partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK.
Në përpjekje për të zhbllokuar procesin, kryesuesi i seancës ka propozuar formimin e një Komisioni zgjedhor për votim të fshehtë, por edhe kjo nismë po dështon për shkak të mungesës së kuorumit.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që nga 27 korriku deri me 8 gusht të ndalohet çdo aktivitet parlamentar deri në një vendim të mëtejmë, duke e bërë këtë seancë të fundit një afat kritik për fatin institucional të vendit.