Çaste poetike me poeten;- Shqipe BYTYÇI

18 e 36

Në St. Gallen, ajri asht 18 gradë

nji freski që t’rri si këmishë nate

e shpirtin s’ta ngrohë kurrë

Në Prishtinë, dyfishi 36

asfaltet digjen…

ajri e fjalët randojnë rand

si predhë e pazbrazun mbi kulm

Parlamentarët, s’koti n’sallë

Prishtevka e pazaret

si gjarpën i lodhun

rrëshqasin nën tokë

Nën dhé kanë pa shumë

por s’flasin kurrë

veç psherëtijnë

si n’proceset e Kafkës

ku s’ka gjyqtar as fajtor

Njerëzit vlojnë

thonë, gjithçka kalon

por ankthi s’matet me termometër

asht n’zemër t’njeriut

e t’këtij vendi

që, n’heshtje, digjen bashkë

Migjeni ndoshta, qeshë me dhimbje

“Dielli djeg njisoj

varfanjakun e deputetin që fle.”

Por sot, unë s’e besoj

18 a 36

numra janë

vapa shuhet, freskia tretet

asgja nuk asht e përhershme

as kjo gjendje, as kjo zemër

as n’freski, as n’vapë

as n’këtë tension që djegë gjithçka

Se zjarmija

o të vret, o kalon

Por jo, i ftohti që t’hyn n’palcë

St.Gallen, korrik 2025

/QendraPress/