Çaste poetike me poeten;-Valbona HADRI

Një hije nē heshtje

——————————

E kam lënë dritën ndezur

Tërë këtë natë me vapë korriku.

Të djeg e të zbardh terrinë e heshtjeve.

Në karrikën e hijeve përballë murit të bardhë

Qëndrojmë unë dhe mungesa jote

Ti ke duar të bardha

Ndërsa harresa gjithmonë vesh doreza të zeza.

Ku ishe ti, kur unë të kërkoj në gjumin tim të parë

Qemeret kthejnë heshtjen

Ndërsa Zëri im,

nuk di ku ka shkuar.

Është bosh gota ime

Ndërsa kristali i saj më josh

që ta prek .

Eh, si mund t’i puth gjurmët

për të harruar nëpër kohë

Dikur kam parë një hije që kalonte, por pa u ndalur .

Dhembjet dhe hijet

janë binjake në vendin e askundit.

/QendraPress/