Çaste poetike me poeten;-Bona SHEHU

Të besova…
—————————-
Siç besohet dielli pas një nate të gjatë,
siç besohet dora kur je duke rënë,
siç besohet fjala kur vjen nga një shpirt
që e njeh dhimbjen dhe nuk luan me të.
Të besova, sepse ishe ti,
sepse më dije më mirë se unë veten,
sepse rritëm ëndrrat në të njëjtin mur
dhe ndamë kafshatën, heshtjen, dhimbjen, gëzimin.
Nuk pate nevojë të më bindje,
nuk pate nevojë të betoheshe,
më mjaftonte që ishe aty,
më mjaftonte që kur flisje, shpirti im prehej.
Të besova sepse isha e pastër,
sepse zemra ime nuk njihte dredhi,
e ti më dukej strehë, shtëpi pa çelës,
më dukej se Zoti vetë të solli për mua.
Në netët me shi, zëri yt më ngrohte,
në ditët pa shpresë, hapi yt më printe,
në çdo përqafim, unë lulëzoja,
në çdo heshtje, e ndjeja dashurinë.
Të besova, sepse më besoje…
e kështu besova që dashuria mjafton,
që dy zemra janë më të forta se bota,
që ndarja është fjalë që s’na përket.
Por një ditë, ndodhi e paimagjinueshmja…
fillove të heshtësh ndryshe,
fillove të largohesh pa lënë gjurmë,
dhe unë… mbeta me kujtimet si shoqe të trishta.
Të besova, edhe kur s’duhej më,
edhe kur më dhembje më ngule në shpirt,
edhe kur më le me shpirtin copë e çikë,
unë prapë… prapë të mbajta si dritë.
Se ne jemi rritur bashkë,
rritur me plagët, me të qeshurat, me dhimbjet,
rritur me besë që nuk blihet,
me një dashuri që nuk harrohet.
Dhe sot, nuk të urrej,
nuk mallkoj, nuk hakmerrem…
por nëse një ditë të më marrë malli,
do ta le të më ndjekë…
se ti mbete pjesë e jetës që nuk fshihet.
Të besova, sepse ndryshe s’dija.
E ky është faji im më i bukur.
/QendraPress/