Çaste poetike me poeten;-Margarita Llapushi ZENELI

Për ty
———————-
Për ty ngrita rrugë në ajër,
preka telat me rrymë të shpirtit tim,
vetëm që ti të zbrisje
pa mburojë, pa frikë,
pa asgjë që të mbante peng veç emrit tënd.
Ti ishe kala prej zjarri,
portat e tua nuk hapeshin me çelësa,
por me dhimbje që dinin të këndonin.
Duhej tërmeti,
jo ai i tokës,
por ai që ndodh brenda lëkurës
kur shpirti ndahet më dysh:
për të ikur,
ose për të mbetur.
Unë s’erdha me lutje,
erdha si stuhi që flet me gjuhë të lashta,
që dridh gurët e brinjëve,
që rrëzon muret e mëdyshjeve.
Dhe kur ti më pe,
u lëkundën të gjitha që mbaje brenda:
fryma, kujtimet, froni i krenarisë.
U shembe pa zhurmë
si qytet i vjetër pas një dashurie të re.
Atëherë u bëre e imja.
Jo si robëri,
por si tokë që pranon shiun
pas viteve pa pranverë!
/QendraPress/