Çaste poetike me poeten;-Mimoza SINOIMERI

Pasqyra e fjalës

———————————

A gënjen poeti kur thotë

se nata ka sytë e nënës

së pagjumë

kur fëmijët pret në

mjegullën prej qelqi?

Kur thotë se mbi çatitë e

heshtura

pikojnë lotë qumështi

prej hënës,

e yjet janë letra të shkruara, të

padërguara?

A gënjen,

kur detin e quan zemër,

valët, psherëtima të harresës,

shkumën fustan,

askush s’e vesh,

e bregun, shpatullën që pret përqafimin?

A gënjen,

kur thotë se koha rrjedh

si lumë,

e vitet, si gjethe pasqyrash,

në liqenin pa fund bien

ngadalë?

Kur shpirti, si zog i lodhur,

endet mes shpresës,

ditarit të djegur të ëndrrës,

e akujve të harresës, i

pafjalë?

A është poeti magjistar,

me fjalë kthen qymyrin

në ar,

me këmisha gënjeshtre

vesh trupat e shurdhët

ardhur nga qytete

fantazmash?

Jo.

Fjalët nuk janë gënjeshtra.

Janë pasqyra, janë drita

mes tokës e qiellit gri,

janë zgjim në errësirë,

një “po” në një “nuk di”.

Dhe nëse poeti gënjen,

atëherë

bota do ishte orë rëre e

pambaruar,

përrallë pa tregimtar,

zemër pa këngë,

natë pa ëndërr që

psherëtin,

ku askush nuk vjen,

veç një peshku që

reciton alfabetin

si manekin.

/QendraPress/