Çaste poetike me poeten:-Barie ÇUPI

Gjer në pikën e fundit.
————————————-
Të gjeta në erërat e luginës së acartë,
në të fshehtën e shelgjeve buzë lumit të ngrirë,
të preka në lastarët e degëve të njoma,
ende pa u zverdhur,
kur ende zbukurohesha akoma,
në gurgullima fjalësh mbeta krejt e zbehur,
të ruajta në pëshpëritjet e pathëna,
të ndjeva në sa e sa zgjime,
të ndrojtura,
të trembura,
të dhimbshme në lule të moshës,
të heshtur,
zvogëluar nga zakoni i zakoneve të mështeknës së zezë.
…
eh,sa herë të ula në preludet e mia,
më shtyve,
nën buzë të rrugës tënde më shkelmove,
pa mendje vallë,apo pa zemër,
isha veç e jotja femër…
…
u gremisa gjithsa nëpër llogore lufte,
luftova vetëm për vetëm me veten,
se tjerët i pata frikë,
m’u dukën të tmerrshëm,
m’u dukën shpesh më të egër se ujqërit,
por ia dola…
nervat e mia qetësova,
u tejngopa me zemërime,
ditë,muaj e vite,
zhurma e shpirtit si e kaltërta e stinëve,
përpiva gjithë makthet,
gjithë ëndrrat e krisura,
gjithë dritat e kristalta,
dhe guxova.
…
copëtova gërmat e fjalës “të dua”
theva pasqyrat ku shihja fytyrat e tua,
theva gjithë gotat,ku piva më shumë lot se ujë,
theva gjithçka bërë rrëmujë.
…
e ndërsa ti kërkoje një tjetër agim,
unë sërish duke shpresuar,
por më kot akoma,
qenkësh dhimbje pa çmim,
piva gotën me helm,pa u ligështuar,
e piva të gjithën gjer në pikën e fundit,
e nuk ma trullosi shikimin ,
as ecjen,
as mendimin,
ishte një shpëtim pas çdo kthine.
…
çuditërisht helmi i përditshmërisë,
më qe kthyer në etje,
e nuk dyshova më,
në mbinatyrshmërinë time.
/QendraPress/